Votimet/ Çfarë mesazhesh dhanë Rama, Basha e Kryemadhi

Kryeministri Edi Rama në mesazhin e tij për ditën e votimeve u ka bërë apel qytetarëve që të marrin pjesë në votime duke respektuar parimet e demokracisë.
“Le ta tregojmë sot të gjithë së bashku, se përtej partive e dasive për ne është Shqipëria dhe le t’i shprehim bindjet e ndryshme me votë, por duke e respektuar Shqipërinë me mirësjellje shembullore ndaj njëri-tjetrit, në këtë ditë të shënuar të bashkëjetesës sonë demokratike, ku çdonjëri duhet ta gëzojë i patrazuar të drejtën e votës së lirë e të fshehtë, e prej ku Shqipëria duhet të dalë kryelartë për ne të gjithë” shprehet në mesazhin e tij Rama.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka cilësuar ditën e sotme një ditë historike për të ardhmen e vendin.
“Sot është një ditë e mrekullueshme për vendin tonë. Është një ditë historike. Sot të gjithë kemi fuqinë e votës në duar – për vendin tonë, kombin tonë, fëmijët tanë, të ardhmen tonë. Ky është fillimi i një epoke të re për Shqipërinë.
Dilni dhe votoni – është koha juaj! Çdo grua, burrë, çdo familje – dilni dhe votoni. Mos rrini në shtëpi – sot është dita juaj. Është dita e demokracisë. Është dita e Shqipërisë. Është dita e fëmijëve tanë. Dilni dhe votoni!” ka deklaruar Basha.
Kryetarja e Lëvizjes Socialistë për Integrim Monika Kryemadhi në mesazhet e saj ka bërë apel për të marrë pjesë masivisht në votime.
“Unë votova! Për familjen, atdheun, të ardhmen evropiane të shqiptarëve!
Voto të ardhmen tënde sot!. Tirana e jashtëzakonshme në pjesëmarrjen në zgjedhje. Të shumtë në numër, shqiptarët po dëshmojnë që do të sjellin ndryshimin. Votoni! Votoni! Votoni!” shprehet në mesazhet e saj Kryemadhi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.