Xhaçka raporton në Kuvend – Opozita: Meçollari kontakte të dyshimta më shërbimet e huaja
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka raportuar të martën në Kuvend për një nga negociatorët e kufirit me Greqinë i cili akuzohet nga opozita se i ka kaluar informacione shërbimeve jo partnere.
Xhaçka tha se sulmet ndaj, Artur Meçollarit, lindën pasi ai pengoi në vitin 2012 privatizimin e një prej bazave detare shqiptare, shkak për të cilin u largua nga detyra 18 ditë pasi qe caktuar. Ajo tha se Meçollari gëzon certifikatat më të larta të sigurisë sipas standardeve të NATO-s.
Nga ana e tyre deputetët e djathtë e cilësuan Meçollarin si figurë të dyshimtë i cili ka pasur kontakte të vazhdueshme me oficerë të vendeve jo-partnere, madje edhe me atasheun ushtarak rus.
Artur Meçollari aktualisht është Drejtor i Inspektimit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërkohë që ka qenë pedagog i së Drejtës Ndërkombëtare të Detit në Akademinë e Detarisë në Vlorë. Ai është një prej emrave që do negociojë kufirin detar me Greqinë.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.