Yellen mbron modelin e ri ekonomik në SHBA – “Ekonomia moderne e orientuar nga oferta nxit rritjen dhe ul presionet inflacioniste”
Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, cilësoi axhendën ekonomike të administratës Biden si “një ekonomi moderne të orientuar nga oferta”, që kërkon më shumë vende pune, infrastrukturë më të mirë, edukim dhe kërkime për të nxitur rritjen ekonomike dhe të ulë presionet inflacioniste.
Gjatë fjalës së mbajtur “online”, në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, Yellen tha se e shikon strategjinë e re si superiore ndaj përcaktimit tradicional të ekonomisë së orientuar nga oferta, të mbështetur nga republikanët, të cilët i thanë përparësi uljes së taksave dhe derregullimit agresiv. “Qasja jonë e re është shumë më premtuese sesa modeli i vjetër i ekonomisë së orientuar nga oferta, të cilët unë e shoh si një strategji të dështuar për të mbështetur rritjen ekonomike.
Ulja domethënëse e taksave mbi kapitalin nuk ka arritur përfitimet e premtuara. Edhe derregullimi ka një histori po ashtu të dobët, sidomos në uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit,” deklaroi Yellen. Ndryshimi i strategjisë thekson përpjekjet e administratës Biden për të zgjeruar forcën punëtore në SHBA dhe për të rritur produktivitetin, forca që mund të ndihmojnë në zbutjen e presioneve inflacioniste.
Administrata amerikane po përpiqet të zbusë pasojat politike nga inflacioni i lartë, që vitin e kaluar preku një nivel rekord prej 7%, mes mungesës së fuqisë punëtore, banesave dhe mallrave. Kjo ishte rritja më e madhe e inflacionit në 40 vitet e fundit, ndërsa shpenzimet e mëdha qeveritare për të luftuar pandeminë mund të ushqejnë më tej rritjen e çmimeve. Yellen shtoi se rritja potenciale në Shtetet e Bashkuara është kufizuar nga fuqia punëtore në rënie, ndërsa rritja e produktivitetit është dëmtuar nga investimet e pamjaftueshme në infrastrukturën publike dhe në arsim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.