Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Parlamentit, Hashim Thaçi: Një lajm i mirë. Mandaton Haradinajn për formimin e qeverisë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka përshëndetur zgjedhjen e Kadri Veselit në krye të Parlamentit të Kosovës. Në një postim në Facebook, Thaçi shkruan se zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Parlamentit është një lajm i mirë dhe një hap i domosdoshëm për Kosovën.
“Vendin tonë e presin shumë sfida, të cilat me një kulturë politike dhe debat demokratik duhet të gjejnë zgjidhje pikërisht në Kuvend.
Uroj kryetarin Kadri Veseli dhe nënkryetarët për emërimin e tyre dhe ftoj kryesinë e re, si dhe të gjithë deputetët që të bashkëpunojnë në temat që janë strategjike për të ardhmen e Kosovës dhe të fëmijëve tanë”, shkruan Thaçi në FB.
Gjithashtu në një tjetër postim Thaçi shprehet se ka pranuar propozimin nga koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, i cili ka siguruar shumicën e votave në Parlament, për caktimin e të mandatuarit të ri të qeverisë së Kosovës.
“Sapo pranova propozimin nga koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, i cili ka siguruar shumicën e votave në Parlament, për caktimin e mandatarit të ri të Qeverisë së Kosovë. Duke u bazuar në kompetencat e mia kushtetuese, përmes një dekreti kam caktuar z. Ramush Haradinajn mandatar për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, i propozuar nga ky koalicion”
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.