Zjarret të pamenaxhueshëm në fundjavë – Nga 7 vatra, ende aktive zjarret në Dajt, Llogara dhe 3 zona të tjera

24 orët e fundit mes të shtunës dhe të dielës janë shënuar 7 vatra zjarri të shpërndara në 6 qarqe të vendit.
Vetëm në periferi të kryeqytetit forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë në dy pika, atë të Derjesë pranë fshatit Shëngjergj, si edhe në fshatin Vrap ku temperaturat e larta kanë ndezur një sipërfaqe të madhe me shkurre dhe ullinj.
Për shkak të terrenit të thyer malor forcat e angazhuara në shuarjen e zjarrit në Parkun Kombëtar të Dajtit nuk kanë mundur të bëjnë shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit dhe ai vijon të jetë ende aktiv.
Sakaq në fshatin Dukat të Vlorës, pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë operacioni është mbështetur edhe nga dy avionë nga Greqia, por vatrat nuk janë shuar dhe puna për fikjen e këtij zjarri vijon ende.
Po ashtu operacione për shuarjen e flakëve vijojnë edhe në dy zona të qarkut Dibër, konkretisht në Sllatinë të Bashkisë Dibër dhe në Ulëz të Bashkisë Mat. Këto përpjekje janë asistuar edhe me helikopter por do të duhet të vazhdojnë edhe në ditën e sotme.
Një zjarr i rrezikshëm ka prekur edhe fshatin Ardenicë në Lushnje dhe deri në ndërhyrjen e suksesshme të zjarrfikësve janë djegur 10 hektarë pisha dhe shkurre.
Vatrat e zjarri në malin e Xhyrës dhe në malin e Dardhës, bashkia Librazhd janë shuar. Zjarrfikësit janë ndihmuar edhe nga banorë të zonës si dhe punonjës së Zonave të Mbrojtura. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 11 ha me shkurre dhe lisa.
Në fshatin Kakrruk të bashkisë Skrapar ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë ahu.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.