Analistët: Marrëveshja mes Ahmetit e Zaevit e pritshme, qeverinë e presin plot sfida
Lidhja Social-Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë njoftuar arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.
Marrëveshje u bë e ditur nga liderët e dy partive, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti. Kreu i LSDM-së, Zaev tha se do të jetë kryeministër me mandat të plotë katërvjeçar, duke bërë kështu të ditur se ky post nuk do të ndahet në rrotacion me BDI-në, e cila këtë post e kishte moto kryesore të fushatës zgjedhore.
Dy liderët nuk prezantuan planet e tyre për ndarjen e posteve qeveritare. Por, Zaev njoftoi se kryetar i kuvendit do të vazhdojë të jetë Talat Xhaferi nga BDI-ja.
Zaev tha se me BDI-në janë pajtuar që gjatë mandatit katërvjeçar bashkërisht të punojnë në ndarjen e përgjegjësive sikur dhe përbërjes së qeverisë së re.
Njohësit e proceseve politike në vend shrpehen se kjo marrëveshje pritej të ndodhte duke pasur parasysh edhe rezultatin zgjedhorë.
Analisti politik, Selim Ibraimi për Zhurnal ka deklaruar se marrëveshja Zaev-Ahmeti pritej duke i marrë në konsideratë raportet e brendshme shqiptaro-maqedonase dhe situatën rajonale. Sipas tij nuk kishte partnerë tjerë LSDM përvëc se BDI-së të hy në koalicion.
“Renditja ishte e tillë që Zaev nuk mund të anashkalonte BDI dhe partitë tjera andaj doli ky koalicion me këtë përbërje të partive. Drejtësia , siguria dhe mbrojtja do t’i takojnë LSDM-së, ndërsa diplomacia dhe financat do të thoja BDI-së. Kuptohet se partitë tjera BESA dhe PSDH do të marrin ministri dhe drejtori në kuadër të qeverisjes. Në marrëveshje ka edhe lëshimë dhe kompromise dhe BDI u detyrua të lëshojë pe me kryeministrin dhe mendoj se ka pasur logjike duke i marrë të gjitha faktet se një marrëveshje me antagonizma me LSDM nuk do të arrihej dhe automatikisht partitë tjera do ta mernin mandatin. MV është vend në testim dhe të gjitha marrëveshjet duhet parë nga ky kënd. Qeveria e re ka mjaft punë me COVID-19, BE, korrupsionin , shtetin e së drejtës dhe situatën socio-ekonomike. Ministrat e qeverisë nuk do të jenë aq të lumtur, përgjegjësia e tyre do të shtohet”, ka deklaruar për Zhurnal, Selim Ibraimi, analist.
Nga ana tjetër, analisti politik Dame Çkatroski për Zhurnal thotë se nuk është befasuar nga marrëveshja e arritur mes LSDM dhe BDI. Ai pret që kjo qeveri të jetë stabile dhe të zgjasë deri në zgjedhjet e rregullta.
“Që nga dita pas rezultateve zgjedhore dihej se cilat parti do të bëjnë qeverinë. Nuk ka aspak befasi. Situata politike në Maqedoni është normalizuar shumë. Po hymë në një periudhë ku qeveria duhet të bëj shumë disa punë që po i përmend disa herë edhe Presidenti. Mendimi im është që, fatkeqësi që Aleanca për Shqiptarët nuk e tejkaloi vetemn dhe nuk hyri në koalicion. Unë disa herë kam paralajmëruar se për shkak të naivitetit të tyre do të luhen nga BDI. Kanë pasur rezultat të mirë në zgjedhje, mjaftueshëm të jenë faktorë të rëndësishëm. Sido që të jetë, kjo qeveri për shkak të problemeve të brendshme dhe të jashtme, pres që të jetë stabile dhe të zgjatë deri në zgjedhjet e rregullta. Lëvizja BESA mori ministrinë e bujqësisë. Ministri shumë e rëndësishme në këto momente për Republika e Maqedonisë së Veriut dhe fillimit të negociatave me BE-në në vjeshtë”, ka deklaruar për Zhurnal, Dame Çkatroski, analist.
Ndryshe, sa i përket postin të kryeministrit, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se si BDI-ja do të arsyetojë heqjen dorë nga kjo kërkesë me të cilën udhëhoqi fushatën zgjedhore.
“Ky vendim që është marrë të martën, pritej nga të gjithë qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë për vazhdimin e proceseve integrues. Ne kemi dalë me kandidat (për kryeministër) si e drejt e jona legjitime dhe nëse do të barrikadohemi, asnjëherë nuk do të arrijmë zgjidhje për të mirën e qytetarëve. Mendoj se qëllimi është arritur që të përçojmë mesazhin te të gjithë qytetarët”, deklaroi Ahmeti, duke theksuar se beson se ky partnerit i radhës së me LSDM-së, do të jetë më i suksesshëm deri më tani.
Burimi: Zhurnal.mk
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.