Blerjet e Kinës, rrezik për Europën – Gjermania vendos rregulla për të mbrojtur sektorët strategjikë
Gjermania është bërë vendi i parë në Bashkimin Europian që forcon rregullat për blerjet e huaja, pas një seri transaksionesh nga Kina, që i japin kompanive të vendit akses në teknologjinë perëndimore. Rregulloret e reja do të lejojnë qeverinë gjermane që të bllokojë blerjet, nëse ekziston rreziku që sektorë të rëndësishëm të teknologjisë të humbasin në duart e kompanive të huaja.
Rregullat do të hyjnë në fuqi së shpejti pa nevojën e miratimit në Parlament, për të mbrojtur infrastrukturën e vendit.
“Ne qëndrojmë të hapur ndaj ekonomive në botë, por kërkojmë gjithashtu të marrim në konsideratë kushte të drejta të konkurrencës”, tha ministrja gjermane e Ekonomisë, Brigitte Zypries. Kjo lëvizje tregon presionet që përballet europa nga blerjet e korporatave kineze të mbështetura nga shteti.
Blerja e vitit të kaluar të prodhuesit të pajisjeve robotike, Kuka, shtoi shqetësimet se Kina po fiton akses në teknologji të rëndësishme, ndërkohë që kompanitë e veta nuk i lejon që të bëhen pronë e huaj.
Blerja e kompanisë zvicerane Syngenta për 43 miliardë euro, nga ChemChina që zotërohet nga shteti kinez, përbën lëvizjen më të madhe deri më tani të Pekinit dhe ka rritur presionet në Europë për të mbrojtur sektorët strategjikë.
Presidenti francez Emmanuel Macron, në pjesëmarrjen e tij të parë në një samit të Bashkimit Europian gjatë muajit Qershor, u bashkua me Italinë dhe Gjermaninë për të bërë thirrje për krijimin e një mekanizmi europian që parandalon blerjet e padëshiruara.
28 liderët e Bashkimit Europian i kanë bërë thirrje Komisionit që të analizojë investimet e huaja në sektorë si energjia, bankingu dhe teknologjia, ku Kina po shfaq interes në mëyrën e operimit të tyre.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.