Bursat, tetori fillon me rritje- Fitimet kufizohen nga referendumi në Katalonja
Bursat europiane e kanë nisur sesionin e parë të muajit tetor në rritje, por investitorët janë të shqetësuar për rritjen e tensionit politik në rajonin e Katalonjës në Spanjë. Për këtë arsye, indeksi i vetëm në territor negativ është ai i Madridit, në rënie me mbi 1%.
Indeksi pan europian Stoxx 600 është në rritje me rreth 0.2%. Referendumi për pavarësi në Katalonja të dielën ka krijuar trazira të shumta në vendin e Europës Jugore. Qeveria rajonale deklaroi se, 90% e njerëzve kanë votuar në favor të pavarësisë, por autoritetet kombëtare shprehen se, referendumi ishte i paligjshëm. Zyrtarët e Katalonjës u shprenën se, më shumë se 800 persona janë plagosur gjatë përplasjeve me policinë, që u përpoq të ndalonte votimin.
Tregjet e tjera europiane po karakterizohen nga një performancë pozitive. Performacë të mirë realizon sektori i ndërtimit në Mbretërinë e Bashkuar, pasi kryeministrja Theresa May, premtoi një fond shtesë prej 10 miliardë paund në skemën qeveritare të quajtur, “Ndihmë për të Blerë”.
Përsa i përket korporatave, kompania franceze, Bic, humbi rreth 10% të vlerës për shkak se uli parashikimin për shitjet, gjatë këtij viti.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.