Çmimet, në rënie të lehtë – Humbjet kufizohen nga ulja e tensioneve SHBA-BE
Çmimet e naftës po qendrojnë në rënie gjatë sesionit të sotëm, pas tre ditësh në rritje, por ende vijojnë të mbështeten nga vendimi i Arabisë Saudite, për të ndaluar përkohësisht transportin e naftës nga Deti i Kuq, dhe nga ulja e tensioneve tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 74.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 69.5 dollarë për fuçi.
Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, arritën një marrëveshje surprizë që e ka ulur ndjeshëm rrezikun e një lufte tregtare mes rajoneve më të mëdha ekonomike në botë. Një luftë tregtare do të godiste rëndë kërkesën për lëndët e para, ku bën pjesë edhe nafta, që përdoret gjerësisht në të gjitha aktivitetet ekonomike. Ndërkohë, çdo lëvizje tjetër për të bllokuar rrugën detare në Detin e Kuq, që gjendet midis Jemenit dhe Afrikës, do të dëmtojë tranzitin e tankerave në Kanalin e Suezit në Egjipt.
Sipas përllogaritjeve, rreth 4.8 milionë fuçi naftë bruto dhe produkte të rafinuara kalojnë çdo ditë nga kjo rrugë detare. Në fokus të investitorëve është edhe tensioni mes SHBA dhe Iranit. Në ditën e sotme, një komandant i lartë Iranian drejtori një sërë kërcënimesh ndaj presidentit amerikan, Donald Trump. “Nëse ju e filloni luftën, ne do ta përfundojmë atë”, u shpreh një gjeneral i Gardës Revolucionare të Iranit.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.