Greqia ende në pritje – Eurogrupi vonon disbursimin e këstit prej 5.7 mld euro për vendin
Ministrat e Financave të Eurozonës nuk e miratuan disbursimin e këstit të radhës për Athinën, në një takim të Eurogrupit të zhvilluar këtë javë, pavarësisht se bisedimet ishin pozitive.
Progres është bërë në zbatimin e disa aksioneve që janë subjekt i rishikimit të tretë të programit të shpëtimit, megjithatë mbeten vetëm dy çështje të pazgjidhura, në mënyrë që Mekanizmi Europian i Stabilitetit të mundësojë fonde të reja.
Vonimi i disbursimit vjen prej faktit që Këshilli i Shtetit nuk ka miratuar ende dekretin presidencial që lejon privatizimin e aeroportit Elliniko dhe prej mungesës së progresit në ankandet elektronike të pronave të zotëruara nga bankat si rrjedhojë e kredive të këqija.
Ministrat i dhanë 2 javë kohë Greqisë për të ndrequr këto dy çështje, përpara se të marrë pjesën e këstit prej 5.7 miliardë euro. Presidenti i Eurogrupit, Mario Centeno, tha se ka lajme pozitive për Greqinë, duke shtuar se do të vijnë tashmë fazat e radhës së programit të shpëtimit dhe do të sigurohet se axhenda e reformave do të tejkalojë në kohë periudhën e programit.
Komisioneri për çështjet ekonomike dhe financiare, Pierre Moscovici, tha se është bërë progres i rëndësishëm, duke shtuar se çështjet e mbetura do të përfundohen përpara takimit të radhës së Eurogrupit.
“Ekipet do të rikthehen në Athinë për të nisur diskutimet ditën e Hënë mbi rishikimin e katërt dhe të fundit të programit. Misioni do të përfshijë gjithashtu diskutimet për strategjinë e rritjes së Greqisë në vitet e ardhshme. Kur vendi të përfundojë programin e shpëtimit pas 6 muajsh, do të kthehet në një anëtar normal të Eurozonës”, tha Moscovici.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.