India, rekord të vdekjeve nga Covid / Rreth 1 në 4 vdekje botërore dhe 1 në 2 infeksione, në javën e kaluar
India mbante rreth gjysmën e rasteve me Covid-19 të raportuara në botë javën e kaluar, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërkohë që vdekjet janë rritur me një shifër rekord prej 3,780 në 24 orët e fundit. Organizata theksoi në raportin javor epidemiologjik se India përbënte 46% të rasteve botërore dhe 25% të vdekjeve në javën e kaluar. Infeksionet ditore në vend u rritën me 382,315 në 24 orët e fundit, sipas ministrisë së Shëndetësisë, ç’ka shënon ditën e 14 radhazi të mbi 300,000 rastesh. Kjo valë e virusit në Indi ka lënë spitalet pa shtretër dhe oksigjen, ndërkohë që shumë njerëz kanë vdekur në ambulanca dhe makina të parkuara ndërsa prisnin. Qeveria e Kryeministrit Narendra Modi është kritikuar gjerësisht që nuk veproi më shpejtë për të parandaluar valën e dytë. Festivalet besimtare dhe fushatat zgjedhore kanë tërhequr qindra mijëra njerëz në evente gjigante.
Qeveria e Indisë ka bërë të ditur se ka mjaftueshëm furnizime me oksigjen, por shpërndarja është cënuar nga problemet e transportit. Deri më tani, mbi 25 trena kanë dërguar oksigjen në pjesë të ndryshme të vendit. Rritja e infeksioneve në Indi ka përkuar me një rënie dramatike të vaksinimeve, për shkak të mungesës së ofertës dhe problemeve me dërgesat. Të paktën 3 shtete, përfshirë Maharashtra, ku ndodhet qendra financiare e Mumbait, kanë raportuar mungesë të vaksinave dhe kanë mbyllur qendrat e imunizimit.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.