Kroacia, plan për të ndrequr pasojat e turizmit masiv – Më pak të huaj, më shumë shpenzime
Shteti me dalje në Adriatik tashmë ka vendosur të largohet nga modeli aktual i ngjeshjes së turistëve drejt rritjes së shpenzimeve të vizitorëve. Ky vendim i zyrtarëve kroatë mund të dëmtojë operatorët turistikë që ofrojnë paketa të lira në njërin prej destinacioneve më të kërkuara të Europës Qendrore.
Kroacia prej vitesh është kujdesur për operatorët e anijeve dhe makinat familjare që vijnë përmes autostradave të Europës, gjatë eksodit veror drejt plazhit, një strategji që i ka shtuar hyrjet e reja në bregdetin fjordik 5800 kilometra të gjatë.
Së fundmi, turistët janë shtuar edhe në qytetin-port historik të Dubrovnikut, i cili u shfaq në filmin e fundit Star Wars dhe në serialin televiziv Game of Thrones.
Këtë vit, industria e pushimeve është në rrugën e rritjes së fitimeve me 10%, në mbi 10 miliardë euro, çka përbën një të pestën e ekonomisë.
Por teksa Kroacia është vendi i pestë në Europë për numër turistësh pas Spanjës, Italisë, Turqisë dhe Greqisë, ajo është shumë poshtë me rivalët në paratë e shpenzuara për çdo vizitor. Ajo renditet e 10-ta në klasifikimin e Organizatës Botërore të Turizmit, pas Qipros, Sllovenisë, Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Në Portugali, shpenzimet për hyrje ndërkombëtare ishin pothuajse dyfish më të larta.
“Pritshmëritë tona të lidhura me hyrjet e turistëve në këtë sezon veror janë përmbushur tashmë. Në periudhën e ardhshme do të fokusohemi në rritjen e shpenzimeve mesatare për turist, si edhe shtimin e vizitave jashtë muajve të verës”, tha ministri i Turizmit Gari Cappelli.
Kjo masë vjen edhe si domosdoshmëri, pasi vendi ka arritur një tejngopje me turistë. Në Gusht, Dubrovniku shpalli planet për të shkurtuar me 2/3 numrin e vizitave me anije për të mbrojtur qytetin e vjetër.
Disa ditë më parë, më shumë se 9 mijë njerëz hynë në qendrën historike të qytetit dhe muret e lashta prej guri të bardhë dhe mermeri filluan të cifloseshin.
“Kjo ishte e papranueshme. Ne nuk mund të kemi 9 mijë njerëz në qendrën historike, sepse këta njerëz nuk do të largohen me kujtime të bukura nga Dubrovniku”, u shpreh kryetari i bashkisë i këtij qyteti.
Tani që Kroacia ka në plan të fokusohet tek cilësia e turistëve dhe jo tek numri, mund të miratohen edhe plane të tilla si ndërtimi i një resorti me fusha golfi me vlerë disa qindra miliona euro.
Megjithatë shoqata të ndryshme kanë kundërshtuar këtë linjë të re, pasi nga vizitat e shumta përfiton e gjithë ekonomia dhe jo vetëm komunitetet pranë Adriatikut.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.