Maqedonia e Veriut së shpejti me qeveri të re!
Kandidati për kryeministër i qeverisë së re së Maqedonisë së Veriut, lideri i Socialdemokratëve Dimitar Kovaçevski dorëzoi në Parlament përbërjen dhe programin e punës së qeverisë së re. Sipas tij, prioriteti kyç dhe i parë i qeverisë do të jetë ballafaqimi me krizën energjetike në vend, e cila është përkon edhe me krizën energjetike europiane.
Kovaçevski theksoi se hapja e negociatave me BE-në dhe anëtarësimi i plotë mbeten alternativa e vetme e Maqedonisë së Veriut. Andaj marrëveshja me Bullgarinë për zgjidhjen e kontestit për gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe heqjen e vetos për procesin e integrimit evropian, do të jenë prioritetet kryesore të Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.
Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do të ketë 17 ministri dhe 4 zëvendëskryeministra. Bashkimi Demokratik për Integrim do të ketë gjashtë ministri, ndërsa Alternativa do të drejtojë dy ministri. Kjo parti do të ketë edhe një ministër pa portofol, i angazhuar për diasporën. Debati mbi programin e qeverisë dhe përbërjen e saj do të zhvillohet në fundjavë.
Dimitar Kovaçevski do të zëvendësojë në krye të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ish-kryeministrin Zoran Zaev, i cili dha dorëheqjen për shkak të humbjes së LSDM-së në zgjedhjet lokale, që u mbajtën më 31 tetor të vitit 2021. DW
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.