Nafta rimëkëmbet nga humbjet e mëdha – Çmimet rriten me mbi 4%. Flitet se OPEC do ndalojë rritjen e prodhimit
Çmimet e naftës janë rimëkëmbur në nisje të Javës ndërkohë që investitorët kanë blerë pas rënies së sesionit të së Premtes dhe prej spekulimeve se OPEC mund të ndalojë rritjen e prodhimit, në reagim të variantit Omicron. Çmimet u rritën me mbi 4%, duke rikuperuar një pjesë të humbjeve, pasi ranë me mbi 10% në tregtinë e kaluar. Ditën e Premte, nafta tregoi rënien më të madhe ditore që prej Prillit 2020, pasi varianti i ri trembi investitorët larg tregjeve financiarë.
Nafta Brent u rrit me 4.4% ditën e Hënë, në 75.89 dollarë për fuçi, pasi humbi 9.5 dollarë ditën e Premte. Nafta bruto amerikane u rrit me 4.9% në 71.5 dollarë për fuçi, pasi humbi 10.24 dollarë në sesionin e kaluar tregtar. Investitorët shqetësohen se varianti i ri mund të nxjerrë ekonominë botërore jashtë “binarëve” të rimëkëmbjes, duke ndikuar tek kërkesa, ndërkohë që janë shtuar edhe pritshmëritë të një sufiçiti në ofertë gjatë tremujorit të parë 2022.
Analsitët thanë se ka patur një korrogjim në treg pasi rënia e së Premtes ishte e ekzagjeruar, por nëse tregu vazhdon rënien, OPEC mund të ndalojë planet e rritjes së prodhimit. Varianti Omicron është përhapur në të gjithë botën, me rastet e reja që janë identifikuar në Hollandë, Danimarkë, Australi, pavarësisht se më shumë vende po aplikojnë masa të kufizimeve. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe vendet aleate, që njihen si OPEC+, kanë vonuar takimet teknike më vonë gjatë javës, për të fituar më shumë kohë që të vlerësojnë ndikimin e Omicron ndaj kërkesës së naftës dhe çmimet.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.