Ndërhyn Banka e Kinës, nis ciklin tkurrës pa ndërprerë rritjen e ekonomisë
Banka Qendrore e Kinës ka kapur në befasi tregjet financiarë ditën e Premte, duke rritur normën afat-shkurtër të interesit, gjë që tregon përpjekjen e institucionit për të nisur ciklin tkurrës monetar pasi ekonomia po bëhet e qëndrueshme.
Ndërsa rritja ishte modeste, kjo përforcon këndvështrimin se autoritetet kineze synojnë jo vetëm kufizimin e daljes së kapitalit nga vendi, por edhe përmbajtjen e rreziqeve ndaj sistemit financiar, që është fryrë me borxh nga normat e ulëta të interesit.
Normat më të larta të interesit mund të nxisin firmat që të reduktojnë levën financiare, me koston e frenimit të rritjes në vend, që është në nivelin më të ulët në 25 vite. Analistët thonë se kjo duket se ka për qëllim të kontrollojë flluskën në tregun e pasurive të paluajtshme, si dhe ndalimin e zhvlerësimit të valutës vendase.
Banka Qendrore e Kinës (PPOC) rriti normën e interesit në marrëveshjet e anasjelltas të riblerjes në treg të hapur, me 10 pikë bazë apo 0.1%. Banka rriti gjithashtu normën e huadhënies për kreditë afatshkurtra që u ofron institucioneve financiare.
Zv/guvernatori i Bankës, Zhang Xiaohui tha se politikat monetare do të mbahen të qëndrueshme, duke shmangur një ngadalësim të shpejtë të rritjes ekonomike dhe njëkohësisht injektimet e tepërta të likuiditetit.
Zyrtarët thanë se Kina do ta mbajë valutën të qëndrueshme dhe do të shmangë ndërhyrjet e shpeshta në normat e interesit dhe normat e këmbimit valutor.
Ekonomia e dytë më e madhe në botë u rrit me 6.7% në vitin e kaluar, që është mesi i segmentit objektiv të Qeverisë.
Megjithatë, stimuj si huadhënia rekord nga bankat shtetërore dhe rritja e shpenzimeve qeveritare, kanë sjellë shqetësime prej niveleve të larta të borxhit dhe tregun e pasurive të paluajtshme, që mund të kërcënojnë stabilitetin financiar.
Raporti i borxhit ndaj Produktit të Brendshëm Bruto në Kinë u rrit në 277% në fund të 2016-ës, nga 254% që ishte një vit më parë, dhe një pjesë e madhe e kreditit të ri po përdoret për kostot e shërbimit të borxhit.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.