Shkurti, muaji i integrimit – Në datë 6 Brukseli shpalos strategjinë e zgjerimit, priten këshillat
Muaji Shkurt duket se do të jetë mjaft intensiv sa i përket integrimit europian të Shqipërisë dhe të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në tërësi. Për këtë ka shkruajtur së fundmi edhe prestigjiozja “Financial Times”. Shkrimi mban titullin: “Bashkimi Europian do të saktësojë rrugëtimin europian të gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor”.
“Komisioni europian do të publikojë ditën e Martë ( të javës që vjen) dokumentin që vendos objektivat për atë që do të jetë procesi më i madh i zgjerimit të bllokut në dy dekada”– thuhet në shkrimin e “FT”.
Por, prestigjiozja vë theksin te ajo që shumëkush në rajonin tonë i trembet; faktin se, diplomatët europianë janë të mendimit se, vendosja e një date është më shumë motivuese sesa realiste, pasi Brukselit i duhet që t`i mbajë me shpresa këto vende duke i nxitur të vijojnë rrugën e reformave. Një tjetër zyrtar i lartë i unionit, i cituar nga “FT”, sqaron se, objektivi i 2025 si viti i anëtarësimit të vendeve të unionit është vetëm referencë dhe mund të ndryshojë.
Në dokumentin që do të publikohet në datën 6 Shkurt, pritet gjithashtu që Brukseli t`i bëjë thirrje të 6 vendeve që të luftojnë korrupsionin si dhe të zgjidhin problemet mes tyre, sidomos ato bilaterale. Muajin e ardhshëm, thotë prestigjiozja. Jean Claude Juncker do të vizitojë të gjitha vendet e rajonit me radhë. Në fund të këtij muaji ndërkohë, kryeministrat e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Londër gjatë punimeve të samitit të BERZH, duke pasur mundësinë e radhës për të zgjidhur problemet mes tyre.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.