Varianti delta raportohet në 92 vende / OBSH: Po ngadalëson rënien e rasteve të reja në të gjithë botën
Organizata Botërore e Shëndetësisë, theksoi se varianti delta tejet i transmetueshëm, është zbuluar në 92 vende, duke ngadalësuar rënien e rasteve të reja botërore, pas 8 javëve radhazi të tkurrjes. Organizata theksoi se numri total i rasteve aktive në botë arriti në 178.2 milionë më 21 Qershor, përfshirë 3.86 milionë vdekje. Drejtori i përgjithshëm i organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se numri i infeksioneve të reja me Covid-19 në të gjithë botën ka rënë për 8 javë me radhë, ndërsa vdekjet, për 7 javë radhazi. Megjithatë, norma e rënies është ngadalësuar në shumë rajone.
Maria Van Kerkhove, drejtorja teknike e OBSH për Covid-19, tha se varianti delta është përhapur në 92 vende. Ajo theksoi gjithashtu se nuk ka të dhëna përfundimtare mbi ndikimin e këtij varianti në ashpërsinë dhe vdekshmërinë e sëmundjes. Vaksinat që janë aktualisht në treg janë efektive kundër variantit indian, veçanërisht për të parandaluar rastet e ashpra dhe vdekjet.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.