Varoufakis krijon parti: “Greqia një koloni e borxhlinjve, do ta çlirojmë”
Yanis Varoufakis, ish ministri grek i financave, njoftoi së fundmi krijimin e një partie të re, duke premtuar të çlirojë vendin e tij nga barra e borxhit.
Ekonomisti akademik me bindje të majta, i quajtur dikur nga zyrtarët në Bruksel si komunisti me shall Burberry premton kështu të rigjallërojë ekonominë nëpërmjet ristrukturimit të borxhit dhe masave të tjera shtesë.
Varoufakis ka qenë dhe vijon të jetë një ndër kritikët më të ashpër të politikave të ndjekura nga Eurozona dhe sidomos ndaj masave shtrënguese. Kjo lloj mendësie e çoi Greqinë në prag të ndarjes nga euro në vitin 2015. Pak më vonë, Varoufakis u dorëhoq.
Por, që prej atëherë ai nuk është tërhequr aspak nga bindjet e tij, përkundrazi. Ende nuk ka asnjë sondazh që të mund të thotë nëse partia e tij do ta kalonte dot nivelin e 3% për t`u bërë pjesë e Parlamentit.
“Greqia po jeton si një koloni borxhlinjsh, gjë që do të çojë pashmangshmërisht drejt dezertifikimit të vendit”, deklaroi ish ministri i financave gjatë prezantimit të partisë së tij.
“Greqia është një shtet i falimentuar me familje të falimentuara dhe biznese jo fitimprurëse, ku çdokush i ka borxh gjithsekujt dhe askush nuk mund të paguajë”-shtoi ai.
Receta sipas tij, për të rimëkëmbur ekonominë greke konsiston në: uljen e objektivit të suficitit primar, në jo më shumë se 1.5%, krijimin e një kompanie publike për të menaxhuar huatë e këqija së bashku me një moratorium mbi sekuestrimin e pronave, uljen e TVSH në 18%, nga 24% si dhe uljen e taksës korporatave në 20-26%, nga 29% aktualisht. Partia e Varoufakis mban emrin MeRa25.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.