Vendet më mahnitëse për të parë yjet – Nga Tomorri tek shkretëtirat e Marokut e Jordanisë
Qofshi të apasionuar pas yjeve dhe astrofizikës, fotografë në kërkim të një poze perfekte, apo thjesht ju pëlqen të se si ndiheni në krahasim me universin e pafundmë; ju e dini tashmë se vendi ka shumë rëndësi nëse doni të vështroni yjet.
Vitet e fundit kanë parë ngritjen e astroturizmit, ku udhëtarët janë në kërkim të pikës së përsosur, larg ndotjes së dritës, atje ku qiejt janë më të errët dhe yjet më ndriçues.
Ja vendet ku mund të skiconi më së miri galaksitë dhe yjësitë.
Mali i Tomorrit
I lartë deri në 2416 metra, Tomorri konsiderohet si tempulli i perëndive, apo si Olimpi shqiptar. Veç vlerave natyrore, ai ka rëndësi për vizitorët edhe për faktin e ndikimit të fuqishëm shpirtëror që ai zotëron tek besimtarët e feve të ndryshme. Datat 15 Gusht, si dhe 20-25 Gusht janë periudha ideale për të vizituar majën e tij dhe për të kaluar një natë nën yje.
Liqeni Tekapo, Zelandë e Re
Observatori i Malit John plotëson të gjitha kushtet: ndodhet në rezervuarin më të madh të yjeve në botë, dhe ka teleskopin më të madh në të gjithë Zelandën e Re. Gjithashtu pamja e maleve përreth është mahnitëse. Udhëtarët e kanë cilësuar si dritaren për nga universi.
San Pedro de Atacama, Kili
Nuk mund të jetë thjesht rastësi që një nga vendet më të mira në botë për të parë yjet ka një ngjashmëri të madhe me Planetin e Kuq. Mund të jesh i bindur se do të shohësh qiej të kthjellët këtu, pasi në disa zona të shkretëtirës së Atacamas nuk bie shi prej 400 vjetësh.
Merzouga, Marok
Dunat sahariane arrijnë lartësi deri në 350 metra dhe një shëtitje përmes shkretëtirës me gamile së bashku me popullsinë berbere që jeton atje është një eksperiencë që vjen një herë në jetë. Megjithatë, shfaqja e vërtetë fillon në muzg, kur perëndimi mahnitës shërben si një prelud i spektaklit të qiellit të natës. Do të mbeteni pa frymë nga bukuria e universit.
Wadi Rum, Jordani
Mund edhe të njihet si Lugina e Hënës, por janë yjet ato që i rrëmbejnë bukurinë kur bie nata. Formacionet ranore spektakolare formojnë një kontrast të bukur me Rrugën e Qumështit, për t’i ofruar më shumë ngjyra mahnitëse eksperiencës suaj.
Sedona, SHBA
Shkretëtira e Arizonës mund të bëhet shumë e ftohtë në darkë, por ia vlen të largohesh nga ndotja e dritës për të parë lavdinë e vërtetë të qiellit. Mrekulli hapësinore si galaksia e Andromedas mund të shihen me sy të lirë, por me një teleskop mund të vijosh eksplorimin e yjeve binarë, nebulës së Orionit dhe shumë të tjera.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.