Zbarkojnë “anijet e kontaminuara” – Pasagjerë me koronavirus i shpëtojnë monitorimit. Bie alarmi botëror!
Autoritetet janë përpjekur në nisje të javës të gjurmojnë qindra pasagjerë të anijeve turistike të përhapur në të gjithë botën, pasi një grua amerikane u testua pozitive me virusin. Brenda Kinës, autoritetet e shëndetësisë theksuan se numri total i të infektuarve me koronavirusin u rrit në 70,548 dhe vdekjet arritën në 1,770. Jashtë Kinës janë konfirmuar mbi 500 persona të infektuar dhe 5 vdekje, në Japoni, Filipine, Hong Kong, Tajvan dhe Francë.
Japonia dhe Singapori po i afrohen recesionit, ndërkohë që epidemia ka ndërprerë turizmin dhe zinxhirët e furnizimit. Një anije turistike e linjës “Holland America”, raportoi se po komunikon me qeveritë për të gjurmuar pasagjerët që zbritën në Kamboxhia, pasi një grua amerikane u testua pozitive me virusin.
Kjo e fundit kishte kaluar periudhën e inkubimit prej 14 ditësh, ç’ka rrit shqetësimet mbi mënyrën se si vendet duhet të monitorojnë personat e ekspozuar.
Pasagjerët ishin testuar në Kamboxhia, pasi qëndruan mbi 2 Javë në det, ku u refuzuan nga shumë vende për të zbarkuar. Por, pavarësisht monitorimit, një grua amerikane u testua pozitive në Malajzi.
Ndërkohë, pasagjerë të tjerë amerikanë u evakuuan nga anija që ka qëndruar 2 javë në karantinë në portin e Tokjos.
Prej tyre, 14 u testuan pozitivë gjatë evakuimit, sipas Departamentit Shtetëror. Mbi 3,700 pasagjerë kanë qëndruar në karantinë brenda anijes që prej 3 Shkurtit, dhe 400 prej tyre janë testuar pozitiv me virusin, që është grupi më i madh jashtë Kinës.
Përveç 14 amerikanëve që po transportohen, të tjerët janë dërguar në një spitalet e Japonisë dhe asnjë nuk ka vdekur deri më tani.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.