Zgjedhjet në Greqi: Qendra e djathtë fiton pushtetin nën udhëheqjen e Kyriakos Mitsotakis
Konservatori Kyriakos Mitsotakis do të bëhet kryeministri i ardhshëm grek pasi votuesit i dhanë Partisë së tij të Demokracisë së Re një shumicë parlamentare të dielën. Ishte hera e gjashtë në vetëm një dekadë, dhe hera e parë që kur vendi doli me sukses nga programi i shpëtimit në gusht 2018, që grekët shkuan në votime për të zgjedhur një qeveri të re.
Gara, e realizuar më 26 maj nga Tsipras pas rezultatit katastrofik të partisë së tij Syriza në zgjedhjet europiane, si dhe në ato lokale dhe rajonale, u konsiderua kryesisht si një betejë për klasën e mesme e cila u ndikua rëndë nga masat shtrënguese të marra në prag të falimentimin të vendit dhe asistencën e kreditorëve ndërkombëtarë. Kryeministri i zgjedhur Mitsotakis kishte përqendruar fushatën e tij mbi ekonominë dhe sigurinë. Me 39.84% të votave (me 98% të votave të numëruara), Demokracia e Re siguroi 158 nga 300 vendet e parlamentit, çka do të thotë një shumicë absolute.
Në fjalimin e tij të fitores të transmetuar në mbrëmjen e së dielës, Mitsotakis falënderoi elektoratin për “mandatin e fortë”, i cili do ta ndihmonte atë “të ndryshonte Greqinë”. Ai u zotua të punojë shumë për të siguruar që çdo shtetas grek, veçanërisht të rinjtë të cilët janë ndikuar në mënyrë jo proporcionale nga kriza financiare dhe pasojat e saj, do të kenë mundësinë për të “përmbushur potencialin e tyre”.
Ai gjithashtu përsëriti se qeveria e tij do të zvogëlojë taksën, do të rrisë pagat, do të nxisë investimet dhe punësimin dhe shtoi se ai do ta bëjë zërin e Greqisë më të fortin në skenën europiane. Mitsotakis do të betohet të hënën në orën 12 dhe kabineti i tij do të shpallet më vonë gjatë ditës ndërsa betimi tyre do të kryhet ditën e martë. (Euronews)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.