6 iniciativat kryesore për Ballkanin Perëndimore – Çfarë përfshijnë dhe si do të financohen

Komisioni Europian, gjatë prezantimit të Strategjisë për Ballkanin Perëndimor, theksoi se janë 6 fusha ku do të intensifikohet mbështetja nga ana e BE-së, në mënyrë që rajoni të zhvillohet me një ritëm më të shpejtë.
Sundimi i Ligjit
Fusha parësore është forcimi i mbështetjes për sundimin e ligjit. Në këtë drejtim, Bashkimi Europian do të forcojë monitorimin e zbatimit të reformave në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një strategji e ngjashme do të zbatohet me atë të ndjekur në Serbi dhe Malin e Zi, dy vende që tashmë konsiderohen në paravijën e kandidaturave për anëtarësim.
Siguria dhe emigracioni
Iniciativa e dytë pret forcimin e angazhimit në sigurinë dhe mbi politikat e emigracionit. Për këtë arsye, vendet e Ballkanit do të jenë më të pranishme në tryezat e diskutimit të sigurisë në BE, të mbështetura edhe nga agjencitë europiane dhe Interpol. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet grupeve të përbashkëta hetimore, mbrojtjes së të dhënave, luftës ndaj krimit kibernetik dhe shkëmbimit të informacionit mes agjencive të mbrojtjes së kufijve.
Zhvillimi social-ekonomik
Në rendin e iniciativave ndjek zhvillimi social-ekonomik i vendeve të BP. Tashmë, kuadri i investimeve në këtë rajon do të fokusohet në nxitjen e më shumë investimeve, duke tërhequr më shumë donatorë dhe institucione financiare ndërkombëtare. Fondet do të shtohen në fushën e transportit, energjisë, sektorit social, mjedisit, zhvillimit të sektorit privat dhe ekonomisë digjitale.
Një rol të madh në zhvillimin ekonomik, sipas BE, do ta ketë edhe Zona Ekonomike Rajonale, një hap thelbësor për integrimin ekonomik të këtyre vendeve. Gjithashtu do të inkurajohen lidhjet mes bizneseve të komunitetit të diasporë në BE, sipërmarrësve europianë dhe vendeve të Ballkanit përmes programeve për mbështetjen e SME-ve. Komisioni planifikon të nisë edhe një skemë për mbështetjen e start-up-eve dhe teknologjive të reja.
Po ashtu, do të kërkohen reforma të reja sociale dhe në punësim. Një mbështetje më e madhe do t’i caktohet formimit profesional dhe programeve të trajnimit të aftësive. Edukimi parashkollor dhe trajnimi i mësuesve do të marrë një vëmendje të veçantë, ndërsa fondet nga programi Erasmus+ do të dyfishohen në mënyrë që më shumë të rinj të mund të studiojnë dhe marrin eksperienca në BE.
Ndërlidhja
Kjo fushë shihet me interes strategjik nga të dy palët. Ndërlidhjet në transport dhe energjetikë do të lejojnë rritjen e konkurrueshmërisë, rritjen ekonomike dhe sigurimin e furnizimit. BE nxit edhe përfundimin e një tregun rajonal të energjisë, i cili nga ana e tij do të integrohet me pjesën tjetër të Europës.
Reforma kyçe do të kërkohen në fushën e transportit, si implementimi i plotë i traktatit të Komunitetit të Transportit, si edhe në marrjen e masave për heqjen e barrierave dhe ngërçeve administrative në kufij me qëllim për të promovuar integrimin e operacioneve rrugore dhe hekurudhore. Një strategji e re hekurudhore kërkohet për ta hapur këtë treg rajonal, ndërsa më tepër duhet të bëhet për të reduktuar fatalitetin në rrugë, përmes një strategjie të re për sigurinë rrugore.
Agjenda Digjitale
Komisioni Europian do të nisë një agjendë digjitale për Ballkanin Perëndimor, që përfshin reduktimin e kostove për roaming, zhvillimin e internetit broadband dhe digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore, qeveritare dhe të prokurimit. Komisioni do të mbështesë ngritjen e kapaciteteve në siguri, si dhe në digjitalizimin e industrisë për të siguruar që këto sektorë të përfitojnë nga inovacionet.
Pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore
Kjo iniciativë tregon gjithçka që në emërtim dhe fokusohet më së shumti në njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Gjithashtu do të synohet të arrihet një bashkëpunim më i madh rajonal në fushat e kulturës, rinisë dhe sportit. Krahas fondeve të shtuara të programit Erasmus+, komisioni do të nxisë lidhjet kulturore në rajon, si puna për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Ballkanin Perëndimor dhe promovimin e industrisë krijuese.
Për gjithçka të përmendur më sipër, sigurisht që do të ketë një shtim fondesh nga ana e BE-së, por mbi të gjitha do të riorganizohen buxhetet e fondeve IPA, duke iu përshtatur nevojave të secilit prej vendeve.
Viti 2025 vazhdon të qëndrojë si një dritare shumë optimiste për integrimin e Serbisë dhe Malit të Zi, ndërsa theksohet se Shqipëria dhe Maqedonia po përparojnë në reforma me ritme shumë të shpejta.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.