A është e vërtetë që sa më shumë të hani, aq më pak ju pëlqen edhe nëse është ushqimi juaj i preferuar?!

Shkenca paralajmëron: Nëse hamë sasi të mëdha të të njëjtit ushqim, në fund nuk do të na duket më aq i këndshëm; prandaj ka gjasa që për ca kohë të mos kemi më dëshirën për ta shijuar. E keni vënë re ndonjëherë? Mundoheni të shijoni një nga ushqimet tuaja të preferuara: ndjenja duhet të jetë se çdo kafshatë është më pak dhe më pak e këndshme se ajo e mëparshme. Dhe kështu, sa më e madhe të jetë pjesa në pjatë, aq më pak kënaqësi do të keni nga kafshatat e fundit.
Kjo ndodhi gjatë një eksperimenti në Universitetin Stanford (SHBA), për të cilin një grup vullnetarësh shijuan disa biskota dhe vlerësuan se sa të këndshme ishin: ata që hëngrën 15 i gjetën kafshatat e fundit shumë më pak të këndshme se ata që kishin marrë vetëm tre.
Përveç kësaj, konsumimi i një pjese të vogël të ushqimit fillimisht lind dëshirën për të ngrënë më shumë, pavarësisht nga ndjenja e urisë. Kjo është për shkak të të ashtuquajturit efekti i fundit: domethënë, informacioni më i fundit, për shembull fjalët e fundit të një fjalimi ose elementët përfundimtarë të një liste të gjatë, mbahen mend gjithmonë më mirë.
Në të njëjtën mënyrë, kafshatat e fundit të një ushqimi që po shijojmë mbeten më të ngulitura në mendje, duke ndërhyrë në kujtesën e kënaqësisë që ndjehet në fillim të vaktit. Në thelb, sa më shumë të hamë ushqimin që na pëlqen, aq më pak – për një kohë – do ta shijojmë atë.
Por kujdes edhe me porcionet shumë të bollshme, sepse ato janë përcaktuese për sasinë e ushqimit të konsumuar dhe rrjedhimisht të dëmshme nëse dëshironi të qëndroni në formë. Kjo u vërtetua nga një studim i Universitetit të Kembrixhit që kombinoi rezultatet e 61 studimeve të tjera mbi këtë temë, duke mbledhur gjithsej 6711 pjesëmarrës. Duke demonstruar se nëse përmasat e enëve të tavolinës, ambalazheve dhe ushqimeve do të reduktoheshin, konsumi ditor do të ishte 12 deri në 16 për qind më i ulët në Britaninë e Madhe (me një reduktim përkatës prej 279 kcal) dhe 22 deri në 29 për qind në Shtetet e Bashkuara (527 kcal). FCS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.