Apple ‘fiton’ betejën – Juria e SHBA detyron Samsung t’i paguajë 539 mln USD

Pas gati pesë ditësh diskutime, një juri amerikane deklaroi se Samsung Electronics Co Ltd duhet të paguajë 539 milionë dollarë për Apple Inc për kopjimin e karakteristikave të patentuara të smartfonëve, e cila ka sjellë edhe një ‘grindje’ ndërmjet kompanive teknologjike.
Rivalët më të mëdhenj të smartfonëve në botë kanë qenë në gjykatë për patentat që nga viti 2011, kur Apple paraqiti një padi që pretendonte se Samsung kopjonte produktet e saj.
Kështu, Samsung pranoi përgjegjësinë në gjyqin e zhvilluar në vitin 2012, por mosmarrëveshja mbi shumën që duhej t’i paguante Apple çoi edhe në rigjykimin e çështjes për dëmet.
Sipas vendimit të mëparshëm, Samsung duhet t’i paguante Apple 399 milionë dollarë për të kompensuar shkeljen e disa prej patentave lidhur me rastin konkret. Ndërsa, me vendimin e fundit të rishikuar, rezulton se Samsung duhet të paguajë shtesë për Apple edhe gati 140 milionë dollarë.
Apple tha përmes një deklarate se ‘Ne besojmë thellë në vlerën e dizajnit’, duke shtuar se është e kënaqur që anëtarët e jurisë pajtohen që Samsung duhet të paguajë për kopjimin e produkteve.
Ndërkohë, kompania rivale ka deklaruar se do të shqyrtojë të gjitha mundësitë për të marrë një rezultat që nuk pengon kreativitetin dhe konkurrencën e ndershme.
Juristët në gjyqet e mëparshme vendosën që Samsung duhet të paguante 1.05 miliardë dollarë, të cilat më vonë u reduktuan.
Kjo pasi Samsung kërkoi të kufizojë dëmet në rreth 28 milionë dollarë, duke thënë se ajo duhet të paguajë vetëm fitimet që i atribuohen komponentëve të telefonave të saj që shkelin patentat e Apple.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.