Argjentina në ‘emergjencë’ – Planifikon reduktimin e gjysmës së ministrive
Qeveria argjentinase po planifikon të reduktojë gjysmën e ministrive, ndërsa po përballet me një rënie drastike të monedhës së saj. Presidenti, Mauricio Macri, njoftoi një seri masash shtrënguese të hënën, një ditë para se qeveria e tij të takojë zyrtarë të Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Duke pasur parasysh atë që është para nesh, unë kam vendosur ta bëj ekipin tim më kompakt, në mënyrë që të përqendrojmë fuqitë tona në axhendën tonë të ardhshme”, tha Macri, duke mos specifikuar se cilat ministri do të mbyllen apo do të kombinohen me njëra-tjetrën.
Ndërkohë, krahas reduktimit të ministrive, Argjentina po ashtu ka vendosur të rrisë taksat për eksportuesit argjentinas, duke kërkuar më tej edhe mbështetjen e tyre për të dalë nga ‘emergjenca.’
“Unë duhet t’ju kërkoj të kuptoni se kjo është një emergjencë dhe ne kemi nevojë për mbështetjen tuaj”, tha Macri, duke iu referuar eksportuesve argjentinas të cilët do të duhet të paguajnë taksa shtesë.
Monedha argjentinase ka humbur më shumë se 50% të vlerës së saj kundrejt dollarit amerikan, një nga shumë monedhat e tregut në zhvillim që janë nën presion. Javën e kaluar, banka qendrore e Argjentinës rriti në mënyrë dramatike normat e interesit, nga 45% në 60%, në një përpjekje për të stabilizuar situatën.
Gati 70% e borxhit të qeverisë argjentinase është në monedha të huaja, sipas agjencisë së vlerësimit të kredisë, Moody’s.
Ndërkohë, për disa analistë masat më të fundit të qeverisë argjentinase nuk ishin të pritshme. Edward Glossop, ekonomist Amerikës Latine në firmën kërkimore Capital Economics, paralajmëron se zyrtarët e FMN-së mund të kërkojnë shkurtime të shpenzimeve ‘më agresive.’
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.