Arritjet e Kinës eklipsojnë Europën – Objektivi i energjisë diellore për vitin 2020 realizohet para kohe
Kina ka realizuar objektivin e saj të vitit 2020 për energjinë diellore tre vite para kohës së planifikuar. Kapaciteti i instaluar i tejkaloi 105 GW, sipas të dhënave të publikuara nga AECEA, një kompani në industrinë e energjisë diellore.
Ndërtimet e reja në Qershor dhe Korrik e shtynë kapacitetin përtej 112 GW, ndërsa rritja është mundësuar edhe nga ditët me diell që kanë shoqëruar Kinën në gjysmën e parë të këtij viti.
Kjo arritje e shpejtë e Kinës forcon pozitat e saj si kombi lider në energjinë diellore dhe lë në hije përpjekjet e Europës.
Madje Kina nuk ka ndërmend të ndalet këtu. Zyrtarët kanë modifikuar parashikimet për instalimet e reja diellore dhe shifrat tregojnë se kapaciteti i ri për këtë vit do të arrijë 45 GË. Në vitin 2016, në Gjermani, kapaciteti total ishte 41.1 GW.
Grupet e energjisë së rinovueshme i kanë bërë thirrje Bashkimit Europian të ndjekë hapat e Kinës dhe të përpiqet të bëhet numri 1 në botë. Shoqata SolarPower Europe kërkon që BE të rrisë objektivin aktual 27% të energjisë së rinovueshme në vitin 2030 në 35%.
Shoqata vuri në dukje se Europa nuk do të mund të arrijë as objektivin 27% nëse ambicjet nuk rriten.
Ndërkohë ambicja e Kinës është thjesht mbresëlënëse. Ajo ka fermat më të mëdha diellore në botë, ku më i madhi është 30 kilometra katror. Së fundmi ka hapur edhe parkun fotovoltaik lundrues më të madh në botë, i cili është pozicionuar mbi një minierë të vjetër qymyri.
Megjithatë arritjet e Kinës janë të mëdha vetëm në numra. Edhe pse arriti objektivin e vitit 2020, vetëm 1% e kërkesës së saj plotësohet nga energjia diellore. Qymyri mbretëron në vend.
Kina ka një problem edhe me koncesionarët, pasi tarifat e energjisë shpesh kanë ardhur me vonesë, duke shkaktuar probleme për shumë nga këto kompani.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.