Aspak masa drastike, por organizim të mirë / Qasja ndryshe e Koresë së Jugut në ‘luftën’ me COVID-19
Koreja e Jugut është vendi i gjashtë më i prekur në botë nga COVID-19.
Që kur raportoi rastin e saj të parë tetë javë më parë, vendi ka konfirmuar më shumë se 8.400 raste dhe 81 vdekje. Por një vështrim në numrin e rasteve të reja që Koreja e Jugut raporton çdo ditë, sugjeron se vendi mund të ketë frenuar shpërthimin e tij.
Në kulmin e shpërthimit në 29 shkurt, 909 raste të reja u raportuan. Të hënën ama, vetëm 74 raste të reja të koronavirusit u raportuan në vend, dhe të mërkurën, vendi pati 93 raste të reja.
Korea e Jugut duket se e ka marrë shpërthimin e COVID-19 nën kontroll pa zbatuar masa drakoniane, si mbyllja e qyteteve të mëdha ose mbyllja e shkollave dhe restoranteve. Përkundrazi, Koreja e Jugut zbatoi politikën e testimit të shpejtë dhe në shkallë të gjerë. Që nga e hëna, vendi ka testuar 274.504 njerëz për virusin. Zyrtarët shëndetësorë mund të testojnë dhjetëra mijëra njerëz në ditë, çka sjell një përmbajtje më efikase të njerëzve që janë të infektuar, dhe të kontakteteve që ato kanë pasur gjatë periudhës së infektimit.
Koreja e Jugut gjithashtu zbatoi një program të gjurmimit të organizuar mirë: Pasi testet zbulojnë një rast pozitiv, zyrtarët përdorin intervista, teknologjinë GPS, regjistrime të kartave të kreditit dhe mbikëqyrjen me video për të gjurmuar historinë e udhëtimit të këtij personi, sipas The Washington Post.
Qeveria publikon të dhëna anonime se ku ka shkuar secili pacient para se të diagnostikohej si pozitiv, në një faqe në internet, në mënyrë që të tjerët të kontrollojnë për të parë nëse ata kanë qenë në kontakt me këtë pacient apo jo.
D.B/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.