Ballkani në fokus të Brukselit, Bullgaria: Presim që Shqipëria të çelë negociatat brenda qershorit
Ministrja e jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva deklaroi se, ka ardhur koha që Ballkani të kthehet në axhendë.
Ajo tha se, Bullgaria pret që Mali i Zi dhe Serbia të vijojnë të hapin kapituj të rinj për anëtarësimin, ndërkohë që nënvizoi se, Shqipëria dhe Maqedonia kanë shanse reale që të çelin negociatat për anëtarësim gjatë presidencës së Bullgarisë, pra brenda muajit Qershor.
Por, ajo shtoi se, nuk do të ketë progres në procesin e integrimit në rast se, këto vende nuk do të avancojnë me reformat. Gjatë ceremonisë zyrtare të marrjes së presidencës së Bashkimit Europian nga Bullgaria, ishte i pranishëm edhe Donald Tusk, i cili bëri një paralajmërim sa të çuditshëm aq edhe të rrezikshëm.
“Historia e Ballkanit është më shumë dramatike dhe më shumë interesante se sa skenari i “Game of Thrones”, edhe pse në të nuk ka dragonj. Ne do të donim që e ardhmja dhe e tashmja e Ballkanit të ishte shumë herë më pak dramatike se ky skenar”, deklaroi Donald Tusk, duke i`u referuar kështu Ballkanit Perëndimor dhe ambicies për t`u bërë pjesë e familjes së përbashkët europiane në të ardhmen e afërt.
Fjalimi i Tusk konfirmon edhe një herë atë që Bullgari e thotë prej muajsh dhe me furi të madhe ditët e fundit; faktin se, integrimi i Ballkanit Perëndimor do të jetë prioriteti numër një i Bullgarisë këto 6 muaj.
Krahasimi i historisë së Ballkanit me një prej serialeve më të famshme të viteve të fundit e që mban pikërisht titullin “Lufta e Froneve” tregon më së miri se, ç`mendim ka Brukseli zyrtar për rajonin.
“Stabilitet, siguri dhe prosperitet, kjo është ajo që të gjithë njerëzit në këtë rajon meritojnë. Dhe misioni i Bashkimit Europian është që ta kthejë këtë skenar në realitet”, shtoi Donald Tusk. Fjalimi i Tusk ishte në gjuhën bullgare.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.