Ballkani po “kinezërohet”, Gjermania e shqetësuar për influencën e Pekinit në rajon

“Gjermania është e shqetësuar për rritjen e influencës së Kinës në vendet e Europës lindore dhe jugore”, deklaroi ambasadori gjerman në Kinë, Michael Clauss.
“Në këndvështrimin tonë, ngritja e një rrjeti paralel si ai mes Kinës dhe vendeve të Europës jug-lindore, është një zhvillim që bie ndesh me parimin e një bashkimi Europian të fortë dhe koherent”, shtoi ai.
Kina ka zhvilluar plot 5 samite me 16 vendet e rajonit që prej vitit 2012, dhe një prej tyre është edhe Shqipëria. Madje Pekini zyrtar vitin e kaluar fitoi edhe të drejtën për të ndërtuar hekurudhën e shpejtësisë së lartë mes Beogradit dhe Budapestit.
16 vendet me të cilat Kina po kërkon të shtrijë influencën në Europë janë: Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Maqedonia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia dhe Sllovenia.
Me përjashtim të pesë vendeve nga këto 16, të gjitha të tjerat janë anëtare të Bashkimit Europian. Pavarësisht se janë anëtare ose jo të unionit, Gjermania luan një rol thelbësor në të gjitha vendet e lartpërmendura.
Pekini zyrtar është në kërkim të një bashkëpunimi të intensifikuar ekonomik me këto 16 vende duke promovuar iniciativën “Një rrip, një rrugë” ( one Belt, One road ).
Madje, Pekini ka nënshkruar memorandume me 7 prej këtyre vendeve. Sipas ambasadorit gjerman, kjo iniciativë do të shërbejë për të bashkuar Azinë me Europën, duke nxitur edhe stabilitetin ekonomik dhe politik, por se nga ana tjetër, Pekini duhet ta bëjë këtë duke u konsultuar me Europën.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.