Bien ujditë mes Kompanive – Tremujori i tretë regjistron rënie të blerjeve, prej luftës tregtare
Blerjet dhe shkrirjet e kompanive në të gjithë botën kanë rënë në 783 miliardë dollarë në tremujorin e tretë, 35% më pak krahasuar me tremujorin e dytë, ndërkohë që konflikti tregtar Kinë-SHBA ka ashpërsuar qasjen rregullatore. Prodhuesi amerikan i procesorëve, Qualcomm, u tërhoq nga blerja prej 44 miliardë dollarë e NXP në muajin Korrik, ndërkohë që Kina vonoi autorizimin, një lëvizje që u pa si kundërpërgjigje ndaj tarifave.
Kjo ka shkaktuar pasiguri në shumë marrëveshje të tjera që përfshijnë kompani globale dhe që kërkojnë miratim rregullator nga Kina. Numri i marrëveshjeve globale ka shënuar nivelin më të ulët që prej vitit 2013, në rreth 9,130 dhe volumi ka rënë me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Megjithatë, deri më tani për vitin, aktiviteti i ujdive ka qëndruar i fortë, në një rekord të ri prej 3.2 trilionë dollarë.
Në Europë, blerjet mes kompanive kanë fituar vrull, me marrëveshje që arrijnë vlerën e 962.5 miliardë dollarë deri më tani për vitin, një rritje me 72% krahasuar me vitin e kaluar. Për tremujorin e tretë, marrëveshjet në SHBA arritën në 368.1 miliardë dollarë, në Europë patën rënie me 14% në 151.4 miliardë, ndërsa në Azinë e Paqësorit, ranë me 38% në 185 miliardë dollarë.
Ndër marrëveshjet më të bujshme të lajmëruara në tremujorin e tretë ishin; oferta e Broadcom prej 18 miliardë dollarë për prodhuesin e software CA dhe propozimi i Dell për të blerë kompaninë VMware për 21.7 miliardë dollarë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.