BMW do të prodhojë Mini elektrike – Zgjedh Britaninë ndaj Gjermanisë

BMW do të ndërtoje një versionin elektrik të makinave Mini në fabrikën e saj të automjeteve në Oxford, Angli.
Kompania zgjodhi pikën e prodhimit në Mbretërinë e Bashkuar ndaj alternativave të tjera në Gjermani e Belgjikë, pavarësisht rreziqeve që lidhen me Brexit.
“Prodhimi i Mini-ve me bateri do të nisë në vitin 2019”, shkruhej në njoftimin e kompanisë.
Fabrika do të bëjë automjete elektrike për llogari të Mini deri në vitin 2023, thanë burime pranë BMW.
Me këtë lëvizje, prodhuesi i bashkohet kompanive teknologjike të cilat po investojnë në Britani para largimit të vendit nga Bashkimi Europian, edhe pse disa banka po zhvendosin operacionet e tyre brenda kontinentit.
Edhe Amazon ka zgjedhur të vendosë bast për Britaninë, duke lajmëruar se do të zgjerojë veprimtarinë e saj. Për këtë kompania ka marrë me qera 15 kate të një godine të sapondërtuar në Londër.
Zgjedhja e vendit për prodhimin e e-Mini ka qenë shumë komplekse dhe e ndikuar shumë nga zhvillimet e presionet politike, që lidhen me procesin e negociatave për largimin nga BE.
Në mungesë të një marrëveshjeje, pjesët për makinën që vijnë nga Gjermania do të përballen me tarifa, duke e bërë projektin më pak të leverdisshëm.
Automjeti i ri do te bazohet mbi modelin e suksesshëm me tre dyer, me pjesë që do të vijnë nga fabrikat e BMW në Dingolfing dhe Landshut në Gjermani.
Mini me bateri do të jetë modeli i dytë elektrik i BMW, pas modelit të shpallur në 2013-ën “i3”.
BMW punëson rreth 18 mijë njerëz në të gjithë Britaninë dhe eksporton 2.4 miliardë paundë në automjete dhe pjesë makinash çdo vit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.