Borxhi qeveritar në BE – Zotërohet kryesisht nga jorezidentët në gjysmën e vendeve anëtare

Diferenca të mëdha duken në Bashkimin Europian në lidhje me sektorët që zotërojnë borxhin qeveritar. Ndër vendet anëtare, ku të dhënat janë të disponueshme, pjesa e borxhit publik e zotëruar nga jorezidentët për 2016-ën, arrinte sasinë më të madhe në Qipro, me 79%, ndjekur nga Letonia me 72% dhe Austria me 71%, tregojnë të dhënat e Zyrës së Statistikave të Bashkimit Europian.
Pjesa më e madhe e borxhit e mbajtur nga sektori financiar, u regjistrua në Danimarkë me 67%, ndjekur nga Suedia me 64% dhe Luksemburgu në 63%. Mesatarisht në Bashkimin Europian, më pak se 10% e borxhit mbahet nga sektori jofinanciar, që përbëhet nga kompanitë jofinanciare, ekonomitë familjare dhe institucionet jofitimprurëse.
Prej këtyre, përjashtime bëjnë, Malta ku borxhi i mbajtur nga sektori jofinanciar arrin në 28%, ndjekur nga Hungaria me 18% dhe Irlanda me Portugalinë në 11%.
Borxhi qeveritar financohet kryesisht nëpërmjet letrave me vlerë në shumicën e vendeve anëtare. Në 2016-ën, letrat me vlerë të borxhit përbënin instrumentin kryesor financiar në thuajse të gjithë vendet anëtare.
Kjo dukej veçanërisht në Maltë, ku zinte 93% të totalit të borxhit qeveritar, ndjekur nga Republika Çeke me 91% dhe Hungaria me Mbretërinë e Bashkuar në 88%. Nga ana tjetër, kreditë mbizotëronin në Estoni, Greqi dhe Qipro, ku përbënin për 87%, 80% dhe 67% në mënyrë respektive.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.