Tkurret numri i shtetasve të huaj shqiptarë në Itali – Arsyeja, marrja e shtetësisë

Numri i shqiptarëve të cilët jetojnë në Itali është në rreth 448 mijë vetë, dhe renditen të dytët në numrin e të huajve pas rumunëve, të cilët janë mbi 1 milion e 100 mijë vetë.
Të dhënat vijnë nga publikimi i fundit i ISTAT, agjencisë së statistikave në vend, që analizon bilancin demografik të shtetit fqinj.
Ky numër është ulur në krahasim me vitin e kaluar me rreth 20 mijë individë, ose me 4,1%, si rrjedhojë edhe e numrit të lartë të emigrantëve shqiptarë që kanë përfituar nënshtetësinë italiane.
Ndër 200 mijë të huajt që përfituan shtetësinë italiane, 18% e tyre janë shqiptarë dhe renditen si grupshtetësia me përqindjen më të lartë. Shtetasit marokenë ndjekin me 17,2%, ndërsa rumunët me 6,4%. Në rastin e fundit, shtetësia italiane nuk është shumë e nevojshme për rumunët, pasi rregullat e Bashkimit Europian i lejojnë të jetojnë dhe punojnë lirisht në vend, si edhe të përfitojnë nga të drejtat e tyre si vend anëtar i unionit.
Nga rreth 200 kombësitë që ekzistojnë në Itali, gjysma janë shtetas europianë, ndërsa shqiptarët përbëjnë 8,9%.
Brenda demografisë së emigrantëve shqiptarë, meshkujt mbizotërojnë ndaj femrave me rreth 11 mijë individë më shumë.
Në total në Itali ka mbi 5 milionë emigrantë të huaj, nga ku bien në sy individët nga Kina të cilët kanë rritjen më të madhe të numrit total me 3,9% më shumë nga viti i kaluar. Shumica e të huajve janë të përqendruar në zonën qendrore dhe veriore të vendit.
Një statistikë tjetër kurioze ka të bëjë me emigrantët nga Ukraina, të cilët 78,4% janë femra, ose 183 mijë gra ndaj vetëm 50 mijë burrave. Kjo është ndikuar pjesërisht edhe prej mentalitetit ku femrat sjellin të ardhurat në shtëpi. Shumë gra nga Ukraina punojnë në Itali si shërbyese, apo kujdesen për të moshuar, e dërgojnë të ardhurat në vendlindje për të mbajtur familjet.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.