Brexit ‘ndihmon’ New York-un të ngjitet në podium
Dështimi i Brexit ka ndihmuar New York-un t’ia kalojë Londrës duke u bërë qendra më e mirë financiare në botë, sipas sondazhit të kryer nga drejtuesit financiarë të Duff & Phelps. Gjatë studimit të tyre vjetor, Perspektiva e Rregullatorëve Globalë, ata kontaktuan 180 drejtues në menaxhimin e aseteve, kapitalit privat, fondesh, bankash dhe brokerimi, nga Britania, SHBA, China, Japonia dhe Europa. Pyetjes se ku mendonin se është vendosur tashmë qendra financiare e botës, më shumë se gjysma konfirmuan se ishte New York-u. Kjo shënoi një rritje me 10% të numrit të të anketuarve krahasuar me 2018 që ‘votojnë’ për NYC dhe një rënie me 36% të atyre që zgjodhën Londrën.
“Vitin e kaluar, Brexit hodhi një hije pasigurie mbi ekonominë e Britanisë së Madhe; ajo tani është përshkallëzuar në një krizë të plotë “, tha Duff & Phelps. “Sidoqoftë, duke parë përpara, shpërndarja e ndikimit të globalizimit fillon të jetë e qartë: 12% e të anketuarve presin që Hong Kongu të jetë qendra financiare më e mirë në botë për pesë vjet”.
Ministrat e qeverisë britanike thanë javën e kaluar se sektori financiar i Britanisë do të dalë më i fortë nga Brexit. Duff & Phelps tha se Dublini, Franca dhe Luksemburgu dolën më mirë këtë vit, pasi industria financiare e Bashkimit Evropian kërkoi një qendër të re.
Largimi i Britanisë nga BE tashmë është shtyrë dy herë, me afatin e ardhshëm të caktuar për 31 tetor dhe pasiguria mbi marrëdhëniet e ardhshme bilaterale tregtare ka bërë që bankat, menaxherët e mjeteve dhe siguruesit të krijojnë operacione në bllok për të mbajtur lidhje me klientët.
Burimi: Reuters
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.