CDC rekomandon “nxitëset” e Moderna, J&J – Mundëson administrimin e miliona dozave shtesë për amerikanët
Paneli i këshilluesve i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka votuar në mënyrë unanime për rekomandimin e dozave nxitëse vaksinës së Moderna dhe të Johnson & Johnson, çka do krijojë mundësinë e dozave shtesë për miliona amerikanë. Administrata e Barnave dhe Ushqimeve e autorizoi një ditë më parë dozat nxitëse dhe theksoi se përdoruesit mund të zgjedhin vaksinë ndryshe nga origjinalja si dozë të dytë apo të tretë.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve pritet ta nënshkruaj rekomandimin në ditët e ardhshme dhe dozat nxitëse mund të disponohen menjëherë. Megjithatë, zyrtarët e shëndetësisë dhe ekspertë të shëndetit publik, thonë se administrimi i tyre mund të shkaktojë konfuzion. Komisioni i këshilluesve të CDC (ACIP) votoi për të rekomanduar dozat për këdo në moshë 18-vjeç e sipër, që kanë marrë 1 vaksinë të J&J të paktën 2 muaj më parë. Për ata që kanë marrë 2 vaksina të Moderna të paktën 6 muaj më parë, komisioni rekomandoi një dozë të tretë për personat në 65-vjeç e sipër, si dhe disa individë me rrezik të lartë të sëmundjes.
Disa shkencëtarë kanë sugjeruar se dozat e treta nevojiten për të mbajtur imunitetin e lartë, veçanërisht përballë variantit delta, që shkakton penetrim të virusit tek disa të vaksinuar plotësisht. Rreth 11.6 milionë njerëz kanë marrë deri më tani një dozë nxitëse, sipas të dhënave zyrtare në SHBA. Vende të tjera si Izraeli, kanë nisur të ofrojnë dozat e treta ndaj popullsisë së gjerë, por nuk është ende e ditur nëse do të ndodhë e njëjta gjë në SHBA.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.