Çmimet e naftës “tërhiqen” lehtë – Rikthimi i mundshëm i eksporteve nga Irani “tremb” investitorët

Nafta ka rënë për të tretin sesion radhazi të Mërkurën, ndërkohë që investitorët kanë mbyllur pozicionet për të marrë fitim prej shqetësimeve se mund të rriten furnizimet nga Irani. Megjithatë, humbjet janë limituar prej rënies së inventarëve të naftës në Shtetet e Bashkuara, ç’ka përbën një shenjë pozitive për kërkesën. Nafta Brent, çmimi referencë në bursën e Londrës, ra me 0.1% në 90.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane, humbi 0.2% në 89.18 dollarë për fuçi.
Të dy kontratat kryesore të naftës në botë ranë me 2% në tregtinë e së Martës, ndërkohë që Washingtoni rinisi bisedimet indirekte me Iranin, për të rikthyer paktin bërthamor të vitit 2015. Kjo marrëveshje do të hiqte sanksionet ndaj eksporteve të naftës në Iran, duke lejuar rritjen e furnizimeve në treg. Analistët thonë se përballë këtyre negociatave dhe ndërkohë që çmimet prekën nivelet më të larta në 7 vite në javën e kaluar, investitorët janë bërë më të kujdesshëm dhe kanë marrë fitimet.
Qeveritë në botë, nga SHBA e deri tek Japonia, po përpiqen të trajtojnë çmimet e larta të naftës, ndërkohë që inflacioni është rritur ndjeshëm. Inventarët e naftës bruto dhe benzinës, ranë në javën e kaluar, sipas Institutit Amerikan të Naftës. Inventarët e naftës ranë me 2 milionë fuçi, ndërkohë që analistët prisnin një rritje me 400,000. Në Europë, tensionet në Ukrainë, që kanë nxitur çmimet së fundmi, u zbutën ndërkohë që presidenti francez Emmanuel Macron tha se mendon që mund të merren hapa për të mos-përshkallëzuar situatën, pas një takimi me presidentin rus Vladimir Putin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.