Deklarata e Trump: Vetëm një gjë do të funksionojë me Korenë e Veriut

Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh ditën e shtunë se vetëm një gjë do të funksionojë në trajtimin e çështjes së Koresë së Veriut, pas bisedimeve pa rezultat të administratave të kaluara dhe Pyoungyangut.
“Presidentët dhe administratat e tyre kanë folur me Korën e Veriut për 25 vjet. Janë arritur marrëveshje dhe janë paguar shuma të mëdha parash”, shkruan Trump në Twitter.
“Kjo nuk ka funksionuar, marrëveshjet janë shkelur përpara se të thahej boja, duke i bërë të duken si palaço negociatorët e SHBA. Më vjen keq, por vetëm një gjë do të funksionojë!”, shkruan presidenti.
Trump nuk e qartësoi se kujt po i referohej, por komentet e mëparshme lënë të mendosh se mund të jetë një aksion ushtarak. Presidenti është shprehur më parë se SHBA do ta shkatërrojë plotësisht Korenë e Veriut nëse do të ishte e nevojshme për të mbrojtur veten dhe aleatët nga kërcënimet bërthamore.
Ndërkohë, lideri koreano-verior Kim Jong Un është shprehur se armët bërthamore “janë siguruese të fuqishme për të ruajtur paqen dhe sigurinë në gadishullin korean dhe në Azinë Verilindore.
Lideri njoftoi gjithashtu se motra e tij, Kim Yo Jong, ishte tashmë një anëtare e re e byrosë politike, organit më të lartë vendimmarrës të vendit. Disa ndryshime të tjera brenda këtij organi bënë që edhe ministri i jashtëm Ri Yong Ho të promovohet në anëtarë me të drejtë të plotë vote në byro.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.