“Disney” pranë marrëveshjes për blerjen e “Fox” – 60 miliardë dollarë për studion e filmave dhe transmetuesit satelitorë

Kompania gjigande amerikane “Walt Disney” është pranë konfirmimit të marrëveshjes për të blerë asetet e “21st Century Fox” në industrinë e argëtimit. Shitja e vlerësuar në shumën 60 miliardë dollarë amerikanë do të përfshijë studion e filmave “20th Century Fox”, si edhe transmetuesit satelitorë Sky dhe Star në Britaninë e Madhe, Europë dhe Azi.
Tashmë Disney shihet si pretendenti kryesor pasi Comcast u tërhoq nga gara ditën e hënë. Një prej arsyeve është fakti se familja Murdoch do të zgjedhë një marrëveshje me Disney për shkak se preferon pagesën në aksione të kompanisë së argëtimit, se sa në aksione të Comcast, i cili zotëron NBC.
Nga blerja, Disney do të përfitonte edhe rrjete si FX dhe National Geographic, ndërsa do të dyfishonte edhe aksionet e “Hulu”, kompanisë që ofron video përmes internetit.
21st Century Fox do të mbetej vetëm me Fox News, rrjetin e transmetimit të Fox dhe Fox Sports 1. Edhe pse fillimisht do të qëndronte si e pavarur, nuk përjashtohet një shkrirje me kompaninë botuese të Murdoch, News Corp.
Pas transaksionit, CEO-s së Fox, James Murdoch do t’i ofrohet një pozicion drejtues tek Disney, çka do ta bënte një prej kandidatëve kryesorë për të ndjekur CEO aktual të Disney, Bob Iger.
Marrëveshja me shumë gjasa nuk do të kalojë pa hasur pengesa nga autoritetet rregullatorë në SHBA, të cilët kanë deklaruar se do të bllokojnë një shkrirje të ngjashme mes AT&T Inc. dhe Time Warner Inc.
Disney do të përfitonte nga studiot Fox të drejtat për personazhe popullorë si X-Men dhe Simpsons, të cilët do t’u shtoheshin princeshave Disney, Mickey Mouse dhe Star Wars. Disney zotëron gjithashtu kompaninë “Marvel Studios”, e cila ka të drejtat për personazhe si Iron Man, Thor, Captain America, etj. dhe një blerja e Fox Studios nënkupton se universi Marvel mund të bashkohet sërish në ekranin e madh.
Aksionet tek Sky do t’i hapnin Disney edhe vendin për 22.5 milionë klientë në pesë shtete të Europës.
Nëse pagesa do të bëhet vërtetë me aksione të Disney, atëherë aksionerët e Fox do të përfundonin me rreth 25% të Disney. Vetë familja Murdoch do të kishte 5% të aksioneve të kompanisë.
Angelo Haruni/SCAN
40 vjet "Star Wars" – Numrat kryesorë
"Star Wars" mbush 40 vjet në ekranin e kinemasë. Ja shifrat kryesore të markës miliarda dollarëshe
Posted by RADIO TELEVIZIONI SCAN on Thursday, May 4, 2017
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.