Dita e vendimit për Francën – Masa të larta sigurie, tremb skenari “Le Pen-Melenchon”

Francezët u janë drejtuar kutive të votimit ditën e Diel, në zgjedhjen presidenciale që është kritike për të ardhmen e Europës.
Mbi 50 mijë policë janë vendosur në gatishmëri të lartë, 3 ditë pas ngjarjes në qendër të Parisit që la të vdekur 1 person.
Rreth 47 milionë votues do të vendosin nëse do të mbështesin kandidatin e pavarur pro-Bashkimit Europian, konservatorin veteran të njollosur nga skandalet, kandidatin euroskeptik të ekstremit të majtë apo gruan e parë presidente që kërkon të fuqizojë kufijtë dhe të dalë nga euro.
Rezultati është në monitorim në të gjithë botën, për të parë nëse rryma populiste që solli daljen e Britanisë dhe zgjedhjen e presidentit amerikan, është ende në rritje. Emmanuel Macron, ish bankieri që themeloi partinë e tij 1 vit më parë, është favorit në sondazhe për të fituar raundin e parë dhe të mposhtë Le Pen në garën e fundit më 7 Maj.
Kualifikimi i këtyre do të përbënte një ndryshim të perspektivës politike në vend, pasi në raundin e dytë do të garonin liderët e dy partive që nuk e kanë qeverisur Francën prej dekadash.
Megjithatë, Francois Fillon dhe Jean-Luc Melenchon kanë performuar mirë në sondazhe ditët e fundit. Siguria ka luajtur një rol të rëndësishëm në debate, duke marrë parasysh ngjarjen e ditës së Enjte, që mund të shtojë shanset e Le Pen.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se sulmi i Parisit do të ndihmojë lideren e Frontit Nacional. Duke i shtuar pasiguritë ndaj zgjedhjeve më të paparashikueshme të francës në dekada, anketuesit thonë se nuk mund të japin dot vlerësime të sakta të rezultatit. Skenari Le Pen-Melenchon është ai që tremb bankierët dhe investitorët.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.