Euro, e qëndrueshme në mbi 1.04 dollarë – Rezerva Federale rrit normën bazë të interesit me 0.75 pikë përqindje

Dollari amerikan po tregtohet i qëndrueshëm në sesionin e sotëm, pasi Rezerva Federale nuk ndoqi një politikë agresive me rritjen e normave të interesit, në takimin 2-ditor të kësaj jave, krahasuar me parashikimet e analistëve.
Ashtu sikurse ndodhi, tregjet parashikonin një rritje të normës bazë të interesit me 75 pikë bazë në takimin e së mërkurës dhe disa rritje të tjera më vonë gjatë këtij viti, pasi inflacioni vijoi rritjen edhe gjatë majit. Menjëherë pas këtij vendimi të Rezervës Federale, yield-i i obligacioneve amerikane ra ndjeshëm të mërkurën, por filloi sërish një tendencë në rritje në sesionin e sotëm. Euro vijon të tregtohet në mbi 1.04 dollarë, ndërsa gjatë sesionit të kaluar u gjend nën presion nga vendimi i Bankës Qendrore Europiane, që prezantoi një mekanizëm të ri për të parandaluar një krizë të borxhit në Eurozonë.
Banka e Eurozonës premtoi se do t’i mbajë nën kontroll kostot e huamarrjes, sidomos në vendet periferike të bllokut, në takimin emergjent që u zhvillua të mërkurën. Ndërkohë, Rezerva Federale njoftoi rritjen e normës bazë të interesit me 0.75 pikë përqindje, rritja më e madhe mujore që nga viti 1994.
Në këtë mënyrë, norma bençmark e interesit gjendet tashmë në intervalin nga 1.5% deri në 1.75% dhe është rikthyer në nivelet përpara pandemisë. Në fjalën e tij, Presidenti i Rezervës Federale, Jerome Poëell, njoftoi se edhe në takimin e korrikut mund të ketë një tjetër rritje të normës bazë të interesit me 50 apo 75 pikë bazë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.