Dombrovoskis paralajmëron SHBA: Heqja e aktit “Dodd Frank” do të krijonte arbitrazh rregullator
Disa institucione financiare në Shtetet e Bashkuara mund të përjashtohen nga tregu evropian nëse administrata e Donald Trump shfuqizon rregullat globale të vendosura gjatë krizës financiare.
Valdis Dombrovoskis, Zv/presidenti i Komisionit Europian dhe kreu i shërbimeve financiare të Bashkimit Europian tha se rregullat ndërkombëtare të rëna dakord gjatë periudhës 2007-09, duhet të qëndrojnë në fuqi për të shmangur përkeqësimin e stabilitetit financiar.
“Financat ndërkombëtare kërkojnë bashkëpunim rregullator ndërkombëtar, pasi pa këtë do të kishte arbitrazh rregullator dhe destabilitet”, tha Dombrovoskis. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv javën e kaluar për të rishikuar aktin Dodd-Frank, një ligj që zbaton një serë rregullash ndërkombëtare të rëna dakord nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe ekonomi të tjera të mëdha, gjatë krizës globale.
“Një sistem rregullator i dobët në një vend mund të krijojë kushte të papërshtatshme rregullatorë në të gjithë botën”, tha zv/presidenti i Komisionit Europian. Bashkimi Europian ka lejuar kompanitë e sigurimit dhe firma të tjera financiare nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, që të operojnë në bllok, pasi gjykon se rregullat e tyre të brendshme janë ekuivalente me ato në BE. “Nëse këto kushte ndryshojnë, ne do të duhet të rivlerësojmë situatën”, tha Dombrovoskis.
Paralajmërimi i zv/presidentit të Komisionit Europian vlen edhe për Britaninë. Ai tha se Londra do të vazhdojë të qëndrojë një qendër financiare globale vetëm në bazë të një sistemi rregullator ndërkombëtar të fuqishëm. Rishikimi i akteve rregullatore nga Trump, ka shkaktuar shqetësime në organe ndërkombëtare si Komisioni i Bazelit mbi standardet bankare dhe Bordin e Stabilitetit Financiar (FSB), që koordinon rregullimin financiar në ekonomitë e G20-ës.
Klevis Llaha/RTVSCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.