Draghi mbi fitimet e bankave – “Interesat e ulëta nuk kanë ndikuar rezultatet, ka ende nevojë për stimuj”
Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, tha se mjedisi me norma të ulëta të interesit në Eurozonë nuk ka dëmtuar fitimet e bankave europiane.
“Në lidhje me përfitueshmërinë e bankave, hulumtimet e BQE tregojnë pak prova se politikat monetare po shkaktojnë dëme”, tha Draghi në Frankfurt.
Banka Qendrore ka marrë kritika nga menaxherë të bankave për normat e ulëta të interesit për shumë gjatë.
“Të ardhurat neto nga interesi kanë qenë të qëndrueshme në dy vitet e fundit“, tha Draghi duke iu referuar bilanceve të bankave.
Sipas tij, nëse do të ketë efekte negativë nga normat e ulëta të interesit në të ardhmen, ato do të jenë të kompensuara nga efektet e stimujve monetarë në komponentë të tjerë të përfitueshmërisë, siç është cilësia e kredive. Megjithatë, pavarësisht përmirësimit të gjendjes ekonomike në Eurozonë, banka qendrore duhet të jetë graduale në normalizimin e politikave monetare, tha Draghi.
“Kjo është reflektuar në vendimin që morën muajin e kaluar. Besimi për ekonominë e Eurozonës është përmirësuar, megjithatë duhet durim në mënyrë që inflacioni të arrijë objektivin tonë”, the presidenti i BQE.
Institucioni lajmëroi në Tetor se do të ulë blerjet mujore të obligacioneve në 30 miliardë euro nga 60 mld dhe se do të zgjasë afatin e programit deri në Shtator të vitit që vjen. Megjithatë, Draghi përsëriti se nëse do të jete e nevojshme, afati mund të shtyhet përtej asaj date. Të dhënat e kësaj jave konfirmuan se inflacioni bazë, që përjashton energjinë dhe ushqimin, shënoi 1.1% për Tetorin, ndërkohë që objektivi i bankës është afër 2%-shit.
Në projeksionet e fundit, BQE vlerësoi se PBB e Eurozonës do të rritet me 2.2% këtë vit dhe 1.8% në vitin që vjen. Për inflacionin banka projektoi 1.2% këtë vit dhe 1.3% në 2018-ën, që janë larg objektivit të institucionit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.