Draghi shfaqet pesimist – BQE nuk ndërhyn, inflacioni largon “Qershorin”
Banka Qendrore Europiane nuk ka surprizuar askënd, sa i përket vendimit për politikat monetare, duke mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit në 0.05% dhe në -0.4% atë mbi depozitat.
Institucioni ndërkohë konfirmoi se nëse perspektiva e ekonomisë do të përkeqësohet, programi i blerjes së titujve, i njohur ndryshe si “bazooka” e Mario Draghit mund të ndryshojë, si në kohë, duke u shtyrë, por edhe në vëllim, duke rritur kështu masën e injektimit të kapitalit, aktualisht në 60 miliardë euro në muaj.
Nëse projeksionet për ekonominë do të përkeqësohen, atëherë ne do ta ndryshojmë programin, tha numri një i Bankës Qendrore Europiane.
Ky program projektohet të përfundojë në Dhjetor të këtij viti, pasi u shty afati paraprak që fiksohej në muajin Mars. Lehtësimi sasior në shkallë të gjerë do të vijojë deri sa inflacioni të tregojë shenja të qarta rimëkëmbje, pranë objektivit të bankës, pranë dhe më poshtë se 2%.
“Shenjat e inflacionit nuk janë të mjaftueshme për të ndërhyrë”, deklaroi Mario Draghi gjatë konferencës për shtyp, duke gjeneruar edhe një rënie të ndjeshme të monedhës së përbashkët europiane pas kësaj deklarate, ndërkohë që përpara fjalimit kishte fituar lehtë terren.
Kjo do të thotë se, gjasat për një ndërhyrje në muajin qershor, siç parashikohej përpara takimit të sotëm, tashmë janë zbehur ndjeshëm.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.