“Dritë në fund të tunelit” – Greqia del nga programi i ndihmës, synon vetëfinancimin
Greqia del nga program i tretë i shpëtimit në datën 20 gusht me shpresën se do të jetë në gjendje të marrë hua në tregjet ndërkombëtare, pas rreth 9 vitesh krizë të borxhit.
Kjo e zhyti ekonominë vendase në krizë të thellë dhe e detyroi qeverinë të ndërmarrë masa shtrënguese jo popullore. Kriza ka qenë thellësisht dramatike për grekët, që me entuziazëm e zëvendësuan drahminë me euron në vitin 2001.
Në 23 prill të vitit 2010 ish-kryeministri i Greqisë Jorgos Papandreou, njoftoi, gjatë një fjalimi televiziv nga ishulli i Kastellorizos se vendi do të ndërmerrte një paketë ndihme nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, për të ndihmuar vendin të dilte nga kriza e borxhit që sapo kishte filluar.
Që nga ajo kohë, Greqia ka nënshkruar në total tre paketa të ndihmës, në këmbim të reformave aspak popullore dhe masave shtrënguese që shkaktuan edhe reagimin e ashpër të popullit. Por pavarësisht këtyre masave, Greqia vijon të ketë nivelin më të lartë të borxhit në BE, që llogaritet në rreth 180% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ekonomia vendase, që ka rënë me rreth 26% përgjatë periudhës së krizës, ka rifilluar rimëkëmbjet, turizmi po njeh një “boom” të jashtëzakonshëm, ndërsa papunësia ka rënë gradualisht në 19.5% nga 28 që ishte gjatë periudhës së krizës. Greqia u rrit për të pestin tremujor me radhë gjatë periudhës Janar-Mars, duke publikuar një zgjerim vjetor prej 2.3%.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.