Deutsche Bank plan ambicioz, investime kapitale 8 mld euro
Deutsche Bank ka bërë gati një plan gjigand investimesh, që parashikon investime kapitale prej rreth 8 miliardë eurosh. Ky plan synon të forcojë bilancin e huadhënësit si dhe të çlirojë fonde për investime strategjike pas vitesh me radhë ristrukturim.
Në një njoftim për shtyp ditën e Premte, banka deklaroi se, po vlerëson një sërë mundësish për masa strategjike, përfshirë këtu një ofertë fillestare publike për një kuotë aksionesh në minorancë.
Të gjitha masat do të varen nga ecuria dhe gjendja e tregjeve, ndërkohë që bordi shton se ende nuk është marrë asnjë vendim. Burime pranë huadhënësit gjerman tregojnë se, shumë shpejt banka do të njoftojë investitorët dhe askionerët për strategjinë e së ardhmes.
Një vendim përfundimtar sa i përket kësaj strategjie pritet në fund të këtij muaji, pas takimit të anëtarëve të bordit të bankës në datat 16 dhe 17 mars. Lëvizjet vijnë menjëherë pasi banka raportoi humbje në vlerën e 1.9 miliardë eurove gjatë tremujorit të fundit të 2016-ës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.