Euro bie drejt 1.05 dollarëve – Shqetësimet për sigurinë energjetike, presion mbi monedhën europiane!
Euro ka rënë drejt nivelit të 1.05 dollarëve, gjatë sesionit të sotëm, për shkak të shqetësimeve që kanë të bëjnë me sigurinë energjetike në Bashkimin Europian, pas vendimit të Gazprom për të ndërprerë furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë. Në anën tjetër, dollari ka prekur sërish nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit, përballë jenit japonez.
Tashmë, investitorët parashikojnë se Rezerva Federale do të rrisë normat e interesit me 150 pikë bazë në tre takimet e ardhshme, duke bërë që investitorët të preferojnë monedhën amerikane. Dollari u rrit deri në 129.7 jen, gjatë tregtisë aziatike, niveli më i lartë që nga viti 2002, duke kërcënuar madje edhe nivelin psikologjik prej 130. Gjatë prillit, ndërkohë, dollari është rritur me 6.6%, performanca më e mirë mujore që nga fundi i vitit 2016.
Njëkohësisht zhvlerësimi i euros rrit kostot e energjisë të denominuara në dollarë, ashtu sikurse rriten edhe kostot e gazit, pas lëvizjes së Rusisë për të ndërprerë furnizimet për Poloninë dhe Bullgarinë, dy vende anëtare të Bashkimit Europian. Këto rreziqe mund ta bëjnë Bankën Qendrore Europiane të hezitojë në shtrëngimin e politikave monetare në mënyrë agresive.
Aktualisht, tregjet parashikojnë se BQE do të rrisë normën bazë të interesit në 0.5%, deri për Krishtlindje. Tregjet e monedhave dhe të aksioneve mund të luhaten gjatë ditës së sotme, pasi pritet të publikohen të dhënat mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto në SHBA.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.