Euro dobësohet lehtë përballë dollarit – Sanksionet e reja ndaj Rusisë, presion mbi monedhën europiane!

Dollari amerikan po qëndron në nivelin më të lartë në 2 vite edhe në sesionin e sotëm përballë shportës me monedhat kryesore ndërkombëtare, ndërsa euro ka rënë në nivelin më të ulët në 1 muaj. Dollari vijon të mbështetet nga pritshmëritë se Rezerva Federale do të ndjekë një politikë më agresive me rritjen e interesave për shkak të inflacionit të lartë. Indeksi që mat dollarit amerikan është ngjitur në 99.90, niveli më i lartë që nga maji i vitit 2020, ndërsa gjatë kësaj jave ka fituar 1.2%.
Në procesverbalin e takimit të fundit të Rezervës Federale, politikëbërësit kanë mbështetur një rritje të normës bazë të interesit edhe me 50 pikë bazë, në muajt në vijim. Në anën tjetër, euro ka rënë poshtë 1.09 dollarëve dhe po tregtohet në nivelin më të ulët në 1 muaj, kryesisht si pasojë e sanskioneve shtesë ndaj Rusisë.
Bashkimi Europian vendosi të ndalojë importin e qymyrit nga Rusia, ndërsa vendimi do të hyjë në fuqi në muaji gusht. Gjithashtu, investitorët po ndjekin me interes edhe fushatën e zgjedhjeve presidenciale në Francë, pasi kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, ka fituar mbështetje, sipas sodazheve më të fundit. Gjithsesi, Macron kryeson me një avantazh të konsiderueshëm. Në tregun e kriptovalutave, bitcoin po tregtohet në rreth 43 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 3200 dollarë.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.