Euro, e qëndrueshme poshtë 1.1 USD – SHBA dhe BE pritet të njoftojnë sanksione të reja ndaj Rusisë

Euro po shfaqet e qëndrueshme në sesionin e sotëm dhe po tregtohet pranë nivelit të 1.1 dollarëve, ndërsa dollari australian është ngjitur në nivelin më të lartë në 9 muajt e fundit, pasi Banka Qendrore e Australisë sinjalizoi se do të rrisë shumë shpejt normat e interesit. Sanksionet shtesë të Bashkimit Europian ndaj Rusisë kanë ushtruar presion ndaj monedhës europiane.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë shprehur angazhimin për të penalizuar Rusinë me sanksione shtesë, pas vrasjes së civilëve në Ukrainë. Sanksionet e reja mund të përfshijnë kufizime në miliarda dollarë importe të gazit që Europa merr nga Rusia.
Por, Kremlini i ka mohuar akuzat për vrasjen e civilëve. Në raport me jenin japonez, dollari amerikan është dobësuar lehtë dhe tregtohet në rreth 122.5. Në tregun e brendshëm valutor, euro këmbehet me rreth 121.3 lekë ndërsa dollari amerikan këmbehet me rreth 110 lekë mesatarisht.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.