Euro rritet drejt 1.09 dollarëve – Investitorët presin takimin e ministrave të financave të G20-ës!
Euro është rritur drejt nivelit të 1.09 dollarëve gjatë sesionit të sotëm, por fitimet po kufizohen nga pritshmëritë se Rezerva Federale do të jetë më agresive me rritjen e normave të interesit, krahasuar me hapin e ngadaltë të bankës Qendrore Europiane. Përballë jenit, ndërkohë, dollari vijon të qëndrojë në nivelin më të lartë në 2 dekadat e fundit, në rreth 128.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan përballë 6 monedhave kryesore ndërkombëtare, po tregtohet në rreth 100.45, ndërsa në sesionin e kaluar u rrit deri në 101. Analistët parashikojnë se indeksi i dollarit do të qëndrojë në mes 101 dhe 102, ndërsa mund të rritet edhe më tej në terma afatshkurtër.
Në kontrast me Rezervën Federale, Banka e Japonisë ofroi blerjen e një sasie të pakufizuar të obligacioneve 10-vjeçare të qeverisë, për të parandaluar rritjen e interesave të këtyre instrumenteve.
Gjithashtu, investitorët po presin me interes edhe takimin e ministrave të financave të G20-ës, të cilët mblidhen në Uashington për të diskutuar sfidat kryesore, sidomos rritjen e çmimeve. Në tregun e kriptovalutave, bitcoin po tregtohet i qëndrueshëm në rreth 41 mijë dollarë, ndërsa ethereum në rreth 3,100 dollarë.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.