FAO paralajmëron për krizë ushqimore – “Stabiliteti i dhjetëra vendeve është në rrezik”

Shumë shpejt pritet një krizë ushqimore e përhapur në një moment që uria kërcënon stabilitetin në dhjetëra vende. Alarmi është dhënë nga FAO dhe Programi Ushqimor i Kombeve të Bashkuara, sipas të cilave kushtet janë shumë më të këqija në krahasim me pranverën arabe të 2011-ës dhe krizës së çmimeve ushqimore në periudhën 2007 2008, kur 48 vende u tronditën nga trazira politike, revolta dhe protesta.
Në raportin e ri theksohet se Etiopia, Nigeria, Sudani Jugor dhe Jemeni mbeten në gjendjen e alarmit dhe në kushte katastrofike. Afganistani dhe Somalia, janë hyrje të reja në këtë listë me 750 mijë persona që rrezikojnë urinë dhe vdekjen.
Sipas raportit, kushtet ekstreme meteorologjike, krizat ekonomike, pasojat e vazhdueshme të Covid dhe pasojat zinxhir të luftës në Ukrainë, shtyjnë miliona persona në vende të të gjithë botës, drejt varfërisë dhe urisë. Në një kohë që çmimet e larta të ushqimeve dhe karburantit afrojnë vendet me situatat e destabilitetit.
Raporti kërkon një veprim urgjent humanitar në 20 pika të konsideruara në rrezik për mungesën e ushqimit dhe ku parashikohet një përkeqësim i urisë akute që nga qershori e deri në shtator të këtij viti.
Të dy organizatat shtojnë se po luftojnë kundër kohës për të ndihmuar fermerët në zonat më të prekura. Sipas tyre situata nuk do të dëmtojë vetëm më të varfrit por do të përfshijë dhe miliona familje që deri tani kanë mbijetuar. Në raport shkruhet se tashmë jemi përballë një normaliteti të ri ku thatësira, përmbytjet, uraganet dhe ciklonet pakësojnë në mënyrë të përsëritur agrokulturën dhe rritjen e gjedhëve.
Një thatësisë e paprecedentë në Afrikën lindore që prek Somalinë, Etiopinë dhe Kenian po sjell një sezon të katërt radhazi me reshje nën mesataren. Ndërsa Sudani jugor për të katërtin vit radhazi përballet me përmbytje në pjesën më të madhe të vendit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.